Kaos te skuadra shqiptare/ Largohet trajneri dhe ndihmësi i tij, kapiteni sqaron të vërtetën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 16:19

Kaos te skuadra shqiptare/ Largohet trajneri dhe ndihmësi i tij, kapiteni sqaron të vërtetën

Humbja me Labërinë në javën e dytë ka bërë që Albpetroli të përfshihet nga kaosi. Trajneri i skuadrës patosarake, Marjol Miho, ka dhënë dorëheqjen, pasi është ndier “i harruar” nga instancat përkatëse të klubit, por edhe nga rezultatet negative në start. Në Patos përgjegjës për gjendjen e ekipit bëjnë bashkinë. Në një postim në faqen e ultrasve patosarakë trajneri Mariol Miho ka zyrtarizuar largimin e tij nga drejtimi i Albpetrolit, ku jep edhe arsyet që e detyruan të merrte këtë vendim.

aLBPETROLI

Ja sqarimi i Mihos: “Me keqardhje të madhe shkëputem nga Albpetroli. Do të doja shumë që së bashku të vazhdonim rrugët edhe në momentet më të vështira. Po më besoni se nuk mundem dot ta shikoj Albpetrolin në këtë gjendje, pa asnjë mbështetje dhe në braktisje totale. Unë jam ndier shumë mirë në Patos dhe falënderoj shefin e klubit, drejtuesit e saj, faqen ‘Ultras Albpetrol’, faqen ‘KF Albpetrol’, çunat e ekipit, por mbi të gjitha tifozët e mrekullueshëm të Albpetrolit, të cilët na mbështetën në çdo kohë. U jam mirënjohës të gjithëve për emocionet që kemi kaluar së bashku, megjithëse ashtu si ju, edhe unë ndihem keq që nuk ia arritëm qëllimit”.

ZV.TRAJNERI – Tensioni që ka përfshirë kampin patosarak është zgjeruar. Pas dorëheqjes së trajnerit Mariol Miho, të njëjtën gjë ka bërë edhe zëvendësi i tij, Marjus Kapaj. Këtë e pohojnë për “Panorama Sport” burime të sigurta brenda klubit Albpetroli. Kapaj ka kontribuar në ekipin patosarak për dekada të tëra si portier, ndërkohë që vitet e fundit ka mbajtur postin e trajnerit të portierëve dhe të zv.trajnerit të ekipit. Dorëheqja e tij vjen me të njëjtin motivacion si ajo e trajnerit Miho: “Braktisja e Albpetrolit nga instancat përkatëse, neglizhenca dhe lënia në harresë”. Këto janë disa arsye, që e kanë shtyrë Kapajn ta marrë këtë vendim.

KAPITENI – Humbja me Labërinë është konsideruar si tolerim dhe tifozët patosarakë në faqen e tyre kanë bërë me dije se klubi ka përjashtuar kapitenin Edison Kapo. Ndërkohë, në një prononcim për “Panorama Sport”, Kapo e ka cilësuar të gënjeshtërt këtë lajm, që sipas tij, është bërë nga tifozë të zhgënjyer nga rezultatet. “Është gënjeshtër. Unë jam pjesë e Albpetrolit dhe s’ka lidhje fare. Thjesht janë tifozë të zhgënjyer nga paraqitjet e dobëta. Nëse do të kishte diçka të vërtetë, s’do të kisha marrë guximin të reagoja”, u shpreh Kapo.

LUIS FEJZULLAH-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"