Kaos te PSG-ja para Atalantës, francezëve u dëmtohet një tjetër titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 21:32

Kaos te PSG-ja para Atalantës, francezëve u dëmtohet një tjetër titullar

Pas dëmtimit të Kilië Mbapesë, PSG-ja merr një tjetër goditje të fortë në prag të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, teksa rrezikon seriozisht që të humbasë edhe shërbimet e Marko Verratit. Mesfushori italian ka shfaqur një problem në pulpë, pas një përplasjeje në stërvitje me një prej shokëve të skuadrës.

verrat

Ndërsa duket shumë e vështirë që të rikuperohen në një kohë kaq të shkurtër. Kujtojmë që parisienët do të përballen më 12 gusht me Atalantën. Menjëherë pas përplasjes, Verrati iu nënshtrua kontrolleve mjekësore, të cilat evidentuan një problem muskular. Mediat franceze flasin për një tërheqje, por për momentin nuk ka konfirmime.

Një lajm i keq ky për trajnerin Tuhel, por jo për Gasperinin, që mund të ndeshet me parisienët, me shumë mundësi, pa një prej mesfushorëve kryesorë. Ndonëse situata nuk duket më e mira për sa u përket dëmtimeve, në radhët e PSG-së morali qëndron lart.

nejmar mbape

E kjo dallohet qartë edhe në deklaratën e brazilianit Nejmar: “Besoj që ky është momenti më i mirë në Paris. Jemi një familje dhe kemi të gjithë të njëjtin objektiv, i cili është fitimi i Ligës së Kampionëve”, u shpreh ylli brazilian në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të PSG-së, i cili më pas komentoi edhe eksperiencën në Francë. “Kanë qenë tri vite plot eksperiencë, ku ka pasur momente të bukura dhe të tjera plot sfida, si në rastin kur nuk kam pasur mundësinë që të zbres në fushë për shkak të dëmtimeve, por me ndihmën e shokëve të skuadrës kam arritur që t’i kaloj”, përfundoi sulmuesi 28-vjeçar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"