Kaos te Bajerni, klubi nuk i rinovon kontratën dhe “flak” titullarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 23:33

Kaos te Bajerni, klubi nuk i rinovon kontratën dhe “flak” titullarin

Drejtuesit më të lartë të Bajernit të Mynihut vendosën të mos i ofrojnë një mundësi për të rinovuar mbrojtësit Zherom Boateng. Kontrata e 32- vjeçarit skadon në fund të sezonit, por duket se ai nuk është më në planet e klubit. Sipas “Bild”, lojtari nuk do të ketë asnjë mundësi të flasë për këtë gjë me klubin. Në të kaluarën ai është përfolur shpesh për një largim nga Mynihu, edhe pse në sezonin që lamë pas ai ishte një nga lojtarët më të mirë duke luajtur në të gjitha ndeshjet e rëndësishme. Trajneri Hansi Flik i thuri elozhe Zheromit pasi shënoi golin e 3-2 në ndeshjen e Champions-it ndaj Salcburgut. “Ai po bën një punë shumë të mirë, jam i lumtur për të. Është diçka e bukur kur mendon që ke lojtarë të tillë në skuadër”, tha Flik, por duket se drejtuesit bavarezë mendojnë ndryshe.
jerome-boateng-bayern-munich-07112018_1n39zmurvsagz1tmcthfiuqk9q

MENAXHERI I SHOKUAR
Damir Smojlan, menaxheri i lojtarit, duket se nuk e ka pritur mirë lajmin për lojtarin gjerman. Sipas mediave në vend, ai mësohet të ketë thënë se është i zhgënjyer nga drejtuesit e skuadrës bavareze të cilët nuk i kanë komunikuar asgjë personalisht dhe se gjithçka është marrë vesh vetëm nga mediat. Pak ditë më parë Smojlan tha se Zherom ndihej mirë në Mynih dhe se mezi po priste takimin me drejtuesit e klubit për të folur mbi rinovimin e kontratës së 32-vjeçarit.

PREMIER LIGA E KËRKON
Por sigurisht që një lojtar si Zherom Boateng nuk mund të mbetet pa skuadër. Në Angli skuadrat që e kërkojnë janë disa. Arsenali dhe Totenhemi janë dy prej tyre. Zhoze Murinjo e pëlqen prej kohësh lojtarin dhe do të ishte më se i lumtur ta stërviste atë në të ardhmen. Vetë Boateng e pëlqen Premier Ligën dhe nuk do të refuzonte një kalim në ishull për të mbyllur karrierën tij të pasur me trofe.

UPAMEKANO NË HORIZONT
Upamekano

Ndërkohë, “Bild” shkruan se gjithçka që po ndodh me Boatengun e ka një arsye. Drejtuesit bavarezë janë duke menduar për të ardhmen dhe si të afrojnë në skuadër lojtarë të rinj të cilët japin garanci. Një ndër ta është edhe mbrojtësi francez Dajot Upamekano. 22-vjeçari luan për Lajpcigun në Bundesligë dhe është një prej mbrojtësve më të kërkuar të momentit. Kartoni i tij vlerësohet 60 milionë euro nga “Transfermarkt”. Por, Lajpcigu mund të kërkojë më shumë për diamantin e saj. Lojtari është kërkuar edhe nga klube si Reali i Madridit, Barcelona dhe Mançester Siti. Upamekano do të ishte një lojtar perfekt për lojën e Bajernit dhe të trajnerit Hansi Flik. Bisedimet mes dy klubeve mësohet të kenë nisur që në verën që lamë pas, me lojtarin i cili i ka dhënë fjalën Bajernit për të ardhur në Mynih në një të ardhme të afërt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"