Kaos me stadiumet, Tirana, Partizani dhe Kukësi janë në hall. Dje u mbyll edhe “Selman Stërmasi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 23:58

Kaos me stadiumet, Tirana, Partizani dhe Kukësi janë në hall. Dje u mbyll edhe “Selman Stërmasi”

Investime që lënë vend për diskutime, llogari të gabuara, por edhe klube si Vllaznia, Teuta dhe Laçi që përfitojnë nga mungesa e aktiviteteve. Në momentin kur futbolli pret të konkretizohet kërkesa që u bë ndaj qeverisë, një problem madhor lind në prag të fillimit të kampionatit. Gjendja e stadiumeve është vërtet shqetësuese dhe nëse Superiorja nis këtë javë apo në fillim të nëntorit, ekipe si Tirana, Partizani dhe Kukësi, një Zot e di se ku mund të luajnë.

Tirana

Edhe pse është pasur koha e mjaftueshme për të ndërhyrë në stadiume, është fakt se sot skuadrat e kryeqytetit nuk mund të luajnë dot në “Air Albania”, “Selman Stërmasi” dhe gjithashtu “Elbasan Arena”. Me fushën e “Air Albania”-s u gabua që në fillim dhe FSHF ka menduar që pasi Kombëtarja të luajë aty dy ndeshjet e nëntorit (15 dhe 18), të ndërrojë menjëherë tapetin.

Problematikat

“Panorama Sport” ka zbuluar se bëhet fjalë për një investim që shkon 900 mijë euro. Zgjidhja është gjetur me një tapet hibrid, që do të ketë përqindje të barit artificial. Pra, krahas barit natyral, janë të implementuara edhe fije bari artificial. Stadiumi pritet të qëndrojë i mbyllur për afro 3 muaj dhe aktiviteti i fundit që do të bëhet është një konferencë ndërkombëtare që do të organizohet nga qeveria shqiptare në fund të nëntorit.

Selman Stermasi

Me “Air Albania” si “mollë e ndaluar” për klubet këtë vit, hall më vete edhe është “Selman Stërmasi”. Tirana u kujtua këto ditë të rimbillte barin dhe tani ky proces kërkon të paktën një muaj kohë derisa fusha të jetë gati. E njëjta gjë me “Elbasan Arenën”, ku bari është rimbjellë, por FSHF nuk do të lejojë klubet të luajnë, pasi më 11 nëntor do të zhvillohet Shqipëri-Kosovë. Një kaos i vërtetë, për më tepër tani që pritet të nisë futbolli.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ Tirana dhe Partizani në hall për stadium, planifikohen 900 mijë euro investim për fushën e “Air Albania”-s (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"