Kaos me Kategorinë e Dytë, FSHF në hall për… shortin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 20:46

Kaos me Kategorinë e Dytë, FSHF në hall për… shortin

Kaos me Kategorinë e Dytë në prag të hedhjes së shortit për të zbardhur kalendarin e sezonit 2021-2022.

egnatia elbasani

“Panorama Sport” mëson nga burime në FSHF se sektori i garave në institucionin e futbollit shqiptar nuk po zyrtarizon dot ndarjen e grupeve dhe zbardhjen e kalendarit për faktin se mund të ndodhë si në sezonin e kaluar, kur pati skuadra që u tërhoqën pa nisur gara.

Zyrtarisht Partizani B ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në Kategorinë e Dytë të këtij sezoni, duke u shkrirë tashmë, pasi klubi i kuq do të krijojë një ekip U-21 për të marrë pjesë në këtë kampionat, i cili ka vetëm një vit që ekziston.

Ndërkohë, gazeta zbulon se në FSHF nuk kanë marrë ende garanci që për këtë sezon do të vazhdojë të jetë pjesë e Kategorisë së Dytë edhe Valbona.

Klubi tropojan mësohet se është drejt tërheqjes nga kampionati për shkak të problemeve financiare, por gjithsesi kjo do të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Nga ana tjetër, skuadrat që ranë sportivisht në Kategorinë e Tretë, si Delvina dhe Skrapari, kanë bërë së fundmi një kërkesë në FSHF që të mbeten pjesë e së Dytës, por kjo nuk është miratuar.

Llogaritë janë për një sezon me 26 skuadra, por kampionati mund të nisë me 23 klube, pasi Partizani B, Valbona dhe ndonjë tjetër, deri më 19 shtator, mund të deklarojnë tërheqjen.

Risia e këtij sezoni është se pjesë e së Dytës janë klube me shumë emër në futbollin shqiptar si Flamurtari, Elbasani dhe Luftëtari. Pritet që deri të premten FSHF të marrë një vendim për ndarjen e grupeve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"