Kaos me derbin, ndeshja e ditës së some përfundon në fushën e… Beratit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2021 | 9:30

Kaos me derbin, ndeshja e ditës së some përfundon në fushën e… Beratit

Kaos me derbin. ElbasaniTurbina duhet të luhej në “Nexhip Trungu”, por axhenda ka ndryshuar. Edhe pse të gjitha ndeshjet i kanë luajtur atje, verdheblutë kanë refuzuar që me cërrikasit të luajnë… në Cërrik.

stadiumi tomori

Deri të premten pasdite skuadrat ishin përgatitur që sfida të zhvillohej në këtë stadium, por situata është përmbysur në mbrëmje vonë. Duke parë rëndësinë e këtij 90- minutëshi dhe për më tepër që faktori fushë do të kthehej në një disavantazh për elbasanasit të luante në shtëpinë e Turbinës, është marrë vendimi që ndeshja të shtyhet për të dielën në qytetin e Beratit. Në tavolinë ishin edhe opsionet e Peqinit dhe Librazhdit, por meqë aty sot do të ketë ndeshje, i druheshin prishjes së fushës, edhe për faktin se është parashikuar që të bjerë shi.

“Dëbimi” i verdhebluve nga “Elbasan Arena” ka sjellë shpesh pështjellim në ekip, që nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në këtë impiant. Stadiumi është zaptuar nga Partizani me Kukësin dhe Elbasani degdiset sa andejkëndej.

SUTA – Humbjet e njëpasnjëshme kanë venitur shpresat e ekipit për mbijetesën, por në klub nuk duan ta përmendin fjalën dorëzim. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Anxhelo Suta kërkon të mbajë të karikuar skuadrën për kthesën. “Jemi në një situatë të vështirë dhe ka mbaruar koha e fjalëve, ka ardhur ajo e veprave. Para çdo ndeshjeje kemi qenë optimistë, luajmë futboll, krijojmë raste, por për fat të keq nuk marrim pikë.

Shpresoj që të mos na ndjekë i njëjti fat edhe me Turbinën dhe të marrim fitoren. U kam thënë djemve që do të na mjaftojë vetëm zhbllokimi për të treguar se nuk jemi një skuadër e atij niveli që tregojnë pikët. Nuk bëhet fjalë për dorëzim dhe nuk ka për të ndodhur për aq kohë sa unë do të jem në krye të këtij ekipi. Ka ende pikë në lojë dhe këtë nuk e them vetëm për optimizëm, por ky është realiteti. Fakti që skuadra luan, nuk e kam menduar të dorëzohem”, përfundoi numri një i pankinës elbasanase.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"