“Kantona ishte Moisiu ynë”, Ferguson vlerëson 26 vitet në “Old Trafford”: Van Persi më dha titullin e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 13:30

“Kantona ishte Moisiu ynë”, Ferguson vlerëson 26 vitet në “Old Trafford”: Van Persi më dha titullin e fundit

Sër Aleks Ferguson e cilëson transferimin e Erik Kantonasë te Mançester Junajtidi në vitin 1992 si më të rëndësishmin në historinë e tij në “Old Trafford”, duke e krahasuar me atë të Moisiut.

FERGUSON

Trajneri legjendar skocez po fliste për kohën e tij në Mançester pasi hyri në Sallën e Famës së Premier Ligës dhe reflektoi mbi sukseset e tij dhe lojtarët që formësuan mbretërimin e tij.

Ai foli me respekt për legjendën franceze, i cili u transferua nga Lidsi dhe u bë një idhull i tifozëve pasi mbërriti në mes të sezonit, duke shënuar 9 herë në sezonin 1992-1993 për të frymëzuar “djajtë” drejt titullit të tyre të parë të Premier Ligës, ndërsa sezonin e ardhshëm shënoi 25 herë. Kantona fitoi 4 tituj në total me Junajtidin dhe ngriti gjithashtu dy Kupa FA.

“Kur erdhi Kantona, ai ishte një Moisi”, tha Fergi. “Ai na transformoi”. Skocezi shtoi se motivimi i tij ishte të fitonte titullin me çdo kusht pasi mbërriti në klub në vitin 1986, kur ata po luftonin për të gjetur identitetin e tyre.

“Detyra ime kryesore dhe qëllimi im kryesor ishte të fitoja titullin. Kjo ishte sfida ime. Nuk kishte asnjë dyshim për këtë. Mendova se kjo ishte një mundësi për mua për të rindërtuar klubin. Fitimi i kampionatit të parë na hapi derën. Lojtarët nuk u dorëzuan kurrë. Skuadra që ndien aromën e fitores ishte një arritje e mrekullueshme. Ne nuk fituam çdo titull, por u përpoqëm të fitonim çdo javë. Humbisja durimin kur pësonim një humbje. A e dini pse? Sepse lojtarët harruan objektivat. Ata harruan pikërisht atë për të cilën ne punonim çdo ditë. Kur ata nuk kishin më pritshmëri, atëherë fituan”.

Skocezi u tërhoq në vitin 2013, pasi fitoi Premier Ligën për herë të fundit. Ai vlerësoi se çelësi i këtij suksesi ishte transferimi i Van Persit nga Arsenali. Sulmuesi holandez shënoi 26 gola: “Ti lufton për titullin çdo vit, kjo është puna juaj. Duke veshur atë fanellë si lojtar i Junajtidit pritshmëria është të fitojmë. Sezoni i fundit mendoj se transferimi i Robin van Persit na fitoi titullin”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"