Kanë shpërdoruar shumë raste, Arbëri: Afrojmë dy sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 14:39

Kanë shpërdoruar shumë raste, Arbëri: Afrojmë dy sulmues

Pushimi midis dy fazave ka vënë në lëvizje drejtuesit e Tomorit. Puna ka nisur për merkaton dhe drejtuesit do të përfitojnë që të plotësojnë disa boshllëqe të konstatuara gjatë paraqitjeve të gjysmës së parë të sezonit, që e kanë renditur ekipin në ujëra të turbullta. Në të vërtetë gjithçka është e fokusuar te reparti i sulmit, aty ku dhe beratasit kanë çaluar më së shumti në këto 12 javë.

Arberi

Kjo jo për numrin e paktë të golave të shënuar, por më së shumti për shkak të rasteve të shumta të shpërdoruara. Duke analizuar këtë “ngërç”, stafi teknik ka vendosur që të afrojë dy sulmues. Këtë e ka pohuar për “Panorama Sport” edhe vetë trajneri Klodian Arbëri.

“Në të gjitha paraqitjet tona të fazës parë, prioritet i kemi dhënë aspektit sulmues. E megjithatë, në të gjitha ndeshjet kemi qenë protagonistë të rasteve të humbura dhe kjo na ka kushtuar edhe me disa rezultate zhgënjyese. Të gjithë e dimë se në futboll po nuk shënove do të pësosh. Kemi vendosur që të futemi në merkato dhe momentalisht jemi në negociata me sulmues që kanë kualitet të lartë e mbi të gjitha na garantojnë golat që na kanë munguar aq shumë gjatë 2022-shit. Po e studiojmë momentalisht situatën për sa u përket hyrjeve, por edhe daljeve. Tomori me dy sulmues të mirë, jo vetëm që do të përmirësohet dukshëm. As nuk do të rrezikojmë rënien dhe ndeshjet shtesë. E them me bindje se do të luajmë në fazën e ‘play off’-it në fund të kampionatit”, e ka mbyllur tekniku i beratasve, Arbëri.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"