“Kanë pësuar shumë gola, sepse nuk po mbrojnë si… skuadër”, Begeja: Teutës i mungoi agresiviteti, ja pse humbi ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 15:12


“Kanë pësuar shumë gola, sepse nuk po mbrojnë si… skuadër”, Begeja: Teutës i mungoi agresiviteti, ja pse humbi ndaj Tiranës

Pas humbjes me rezultatin 2-3 ndaj Tiranës në stadiumin “Elbasan Arena”, te Teuta janë rikthyer me këmbë në tokë për vazhdimësinë në kampionat duke i parë gjërat me qetësi dhe duke u fokusuar te sfida e radhës me Egnatian. Në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur ishtrajneri i Teutës, Gentian Begeja, i cili ka analizuar disfatën me bardheblutë, por jo vetëm. Ishsulmuesi shprehet se pavarësisht humbjes nuk duhet rënduar më shumë se ç’duhet ajo që ndodhi ndaj Tiranës. Ai thekson se skuadrës i mungoi agresiviteti, që një sezon më parë kur u shpall kampione pas 27 vitesh kjo ishte një armë e fortë. Begeja është prej më shumë se një viti në krye të ekipit U-21 të klubit dhe e njeh mirë situatën edhe në skuadrën e parë.

Begeja

Genti, keni qenë i pranishëm në stadium, si e patë sfidën Teuta-Tirana?

Sigurisht që isha, e ndoqa nga afër ndeshjen. Ishte një ndeshje e bukur dhe me shume emocione, pasi u përballën dy ekipe me traditë në futbollin tonë.

Çfarë nuk shkoi për Teutën, që edhe pse përmbysi rezultatin, sërish në fund e pa veten në disavantazh?

Shiko, nga jashtë është e thjeshtë ta thuash se çfarë nuk shkoi, por mendoj që ekipi ishte në një ditë jo të mirë. Duke parë mënyrën e lojës dhe faktin që arriti të kalojë në epërsi, mendoj që Teutës i mungoi ajo që ishte arma më e fortë vjet: agresiviteti.

Në ndryshim nga sezoni i kaluar, Teuta po pëson shumë gola. Çfarë duhet rregulluar?

Mendoj se duhet të mbrojmë më mirë si skuadër dhe jo t’ia faturojmë gabimet vetëm repartit të mbrojtjes. Sigurisht që janë bërë gabime në vendosje dhe në markime, por duhet theksuar se kishte edhe probleme në fazën e tranzicionit.

Të shtunën Teuta luan ndaj Egnatias. Sa e vështirë do të jetë tashmë që skuadra pësoi humbjen e parë?

E kam thënë edhe më herët se ky kampionat është më i fortë dhe nuk ka ekipe të lehta. Ekipi duhet të jetë i qetë dhe pa presion. Egnatia vjen pas një fitoreje dhe kanë entuziazëm, por unë kam besim se Teuta e ka potencialin të marrë fitoren në këtë përballje.

Si e shikoni këtë sezon sa i përket luftës për titull. Kush nga skuadrat mendoni se do t’i shkojë deri në fund?

Janë shumë ekipe që do të luftojnë për objektiva madhorë. Nuk shikoj favoritë, por jam i bindur se do të jetë një kampionat me shumë rivalitet.

Drejtoni Teutën U-21 në sezonin e dytë radhazi. Do të luani ndaj Kukësit këtë javë, çfarë prisni nga skuadra juaj?

Kemi një ndeshje të fortë përballë një kundërshtari serioz. Më shumë se rezultati, mendoj se duhet të luajmë futboll të mirë, sepse edhe qëllimi ky është.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL