Kanë luajtur me fanellën e tretë, faktet fatsjellëse të Vllaznisë në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2021 | 23:00

Kanë luajtur me fanellën e tretë, faktet fatsjellëse të Vllaznisë në Kupë

Vllaznia me kualifikimin e fundit ndaj Laçit e ka siguruar për të 15-ën herë finalen e Kupës së Shqipërisë, ku në 14 mundësitë e shkuara ka arritur që ta fitojë 6 herë trofeun. Ecuria pozitive e kuqebluve në këtë edicion të 69-të të Kupës ecën paralelisht me disa statistika dhe të dhëna.

Vllaznia festa e golit

Raundet e Kupës në këtë sezon janë zhvilluar me nga një ndeshje teke dhe si për koincidencë, Vllaznia të katërta takimet e luajtura në Kupë i ka zhvilluar në shtëpi, në stadiumin “Loro Boriçi”. Përveç këtij fakti, ajo që e bën të veçantë ecurinë e shkodranëve në këtë edicion të Kupës është se të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç kanë shkuar në finale pa pësuar asnjë gol, si dhe kanë shënuar 17 herë.

Në turin e parë Vllaznia ka mundur 7-0 Devollin, për të vijuar më pas me fitoren 8-0 ndaj Elbasanit në raundin e dytë. Në çerekfinale dhe gjysmëfinale kuqeblutë kanë qenë më të kursyer, pasi kanë fituar me rezultatin 1- 0, fillimisht ndaj Korabit dhe më pas ndaj Laçit. Kështu që, finalja me Skënderbeun i bie ndeshja e parë jashtë Shkodrës për Vllazninë në këtë edicion të 69-të të Kupës. Është hera e dytë që këto dy skuadra ndeshen në finale të Kupës.

Për herë të parë janë përballur në finalen e vitit 1965, kur shkodranët kanë fituar 1-0 ndaj Skënderbeut, që ka qenë edhe trofeu i parë në këtë kompeticion. Tjetër rastësi që ka të bëjë me ecurinë e shkëlqyer të Vllaznisë në Kupë mund të lidhet edhe me uniformën, pasi në tria raundet e fundit shkodranët kanë luajtur me fanellën e tretë. Vetëm ndaj Devollit Vllaznia ka luajtur me uniformën zyrtare, kuqeblu, ndërsa fanella e dytë, e bardha, nuk është përdorur në Kupë këtë sezon.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"