Kanë grumbulluar 15 pikë me 5 gola të shënuar/ Erzeni do sërish surprizën ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2022 | 11:03

Kanë grumbulluar 15 pikë me 5 gola të shënuar/ Erzeni do sërish surprizën ndaj Vllaznisë

Pas një mbylljeje të suksesshme në vendin e dytë për sa i përket fazës së parë të Kategorisë Superiore, ekipi i Erzenit surprizoi çdo ndjekës të futbollit shqiptar, madje dhe teknikë e specialistë, që me analizat e tyre u munduan të kuptonin sekretin e recetës së shijakasve.

erzeni

Pësuan vetëm në dy ndeshje, atë ndaj Kukësit dhe Bylisit, ndërkohë që shtatë ndeshje të tjera e mbyllën me “0 mbrapa”, pra nuk pësuan asnjë gol në 7 ndeshje.

Erzeni është i vetmi ekip që grumbulloi 15 pikë me vetëm 5 gola të shënuar. Fituan me rezultat minimal ndaj Vllaznisë, Laçit, Partizanit dhe Tiranës, ndërsa barazuan pa gola me Kastriotin, Teutën dhe Egnatian.

Ndeshja e radhës është në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ora 16:45 ndaj Vllaznisë, ekip ndaj të cilit vazhdoi edhe rrugëtimi i këtij sezoni në Superiore për shijakasit, që fituan me një gol të Alan nga një goditje dënimi rreth 30 metra, por kësaj radhe Erzeni duhet t’i vendosë mirë letrat, pasi shkodranët në shtëpinë e tyre janë ekipi më në formë duke regjistruar tri fitore. SITUATA – Grupi i Erzenit në përgjithësi është i plotë, me Mehmetin, që ka marrë një dëmtim të lehtë, por po stërvitet me ekipin, dhe Peposhin që është rikthyer nga dëmtimi.

Të vetmit që rrezikojnë në ndeshjen tjetër janë Iljazi dhe Kahrimanoviç me tre kartonë të verdhë secili. Nuk dihet se si do t’i vendosë Kapllani në fushë të tijtë, me një 4-3-3, që fitoi në fillim të fazës apo me një 3-5-2, që u pa kundër Tiranës duke e kthyer faqen nga ana e fitoreve sërish.

TIFOZËT – Erzeni shkon mjaft i motivuar në këtë përballje pas fitores ndaj Tiranës dhe Vllaznia nuk do ta ketë aspak të lehtë, duke marrë parasysh dhe faktin që tifozë të shumtë e shoqërojnë këtë ekip në transferta duke e mbështetur maksimalisht.

Bëhet me dije se drejtuesit kanë vendosur dy autobusë në dispozicion falas dhe duke llogaritur tifozët besnikë që shkojnë me mjetet e tyre, pritet të jenë rreth 400 shijakas në Shkodër. Moti e favorizon gjithashtu këtë takim, pasi koha është e kthjellët dhe nuk priten reshje, një dukuri mjaft e shpeshtë në qytetin e Shkodrës.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"