Kanë grumbulluar 10 pikë në 4 javët e fundit, Dobjani: Momenti i Besës! Nuk ndalemi më, mundim edhe Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2022 | 0:00

Kanë grumbulluar 10 pikë në 4 javët e fundit, Dobjani: Momenti i Besës! Nuk ndalemi më, mundim edhe Dinamon

Besa po kalon një ndër momentet më të mira të këtij sezoni dhe këtë e vërtetojnë 4 ndeshjet e fundit. Ndaj Turbinës, Luzit, Lushnjës e Tërbunit, verdhezinjtë kanë grumbulluar 10 pikë. Për më tepër që në tri takimet e fundit, kavajasit nuk kanë pësuar asnjë gol. Krahas prapavijës, meritë ka edhe Ilir Dobjani me pritjet e tij. Portieri e pranon për “Panorama Sport” që skuadra po kalon një moment të mirë, por tani pret vazhdimësi.

dobjani

“Po kalojmë një moment mjaft të mirë e po tregojmë se tashmë është arritur harmonizimi i grupit dhe futbollistët e rinj kanë rritur ndjeshëm formën e tyre. Jemi ngjitur ndjeshëm në renditje dhe pa frikë e them, se kemi ekipin që krijojmë më shumë në sulm. E megjithatë, edhe falim shumë. Kemi nisur përgatitjet për Dinamon. Të tilla përballje shkojnë përtej trepikëshit, mbi të gjitha në planin psikologjik. Besoj se ashtu si këto 4 javë edhe ndaj bluve do të dimë të fitojmë.

Që nga ndeshja në Pukë, grupi tashmë është i plotë pasi janë rikthyer Perja, Osma dhe Reçi e vetëm Veriu ende s’është në 100% të gjendjes fizike pas dëmtimit. Një Besë e plotë dhe në këtë moment që kemi kapur formën optimale, i ka të gjitha mundësitë për t’i mundur kryeqytetasit.

Duke qenë lojtari i fundit, shpresoj që sulmuesit të na e lehtësojnë punën duke u treguar pragmatistë. Them kështu pasi si asnjë ekip tjetër, Besa del lehtësisht në sulm falë lojtarëve të shpejtë e teknikë, duke krijuar si askush mjaft raste të pastra shënimi. Onuh apo Hoxha, por dhe mesfushorët që godasin mirë e rrezikshëm, do të dinë që jo vetëm të shënojnë, por të tregojnë se Besa e meriton rikthimin në Superiore”, përfundoi gardiani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"