Kanë 14 muaj që nuk humbasin në “Roza Haxhiu”, Canka: Duhet të blindojmë vendin e dhjetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2022 | 23:15

Kanë 14 muaj që nuk humbasin në “Roza Haxhiu”, Canka: Duhet të blindojmë vendin e dhjetë

Lushnja nuk ka fituar dot dy herë radhazi për këtë sezon. Tashmë që kalendari u servir të dytën ndeshje në shtëpi, lushnjarët kanë shansin që të marrin një tjetër trepikësh. Pasi mundën Burrelin, kjo javë i vendos përballë Erzenit. Edhe pse llogaritet e vështirtë, Mikel Canka beson se do t’ia dalin.

Canka

Në një deklaratë për “Panorama Sport”, kapiteni shprehet: “Pas suksesit me Burrelin, skuadra është e gatshme për të fituar edhe ndaj Erzenit. Jemi në një situatë të përmirësuar. Kemi humbur një ndeshje gjatë gjithë fazës së dytë, por të sigurt nuk jemi ende. Luajmë në fushën tonë dhe përse të mos fitojmë. Mendoj se skuadra është në gjendje të marrë një tjetër trepikësh”.

MBIJETESA

Lushnja e kërkon suksesin për të evituar rënien në zonën “play out”. Me Turbinën rivale që ka një ndeshje të lehtë në letër, nesër janë të dënuar për të mos gabuar. “Ne do të kërkojmë ta ruajmë këtë pozicion që kemi. Kjo bëhet vetëm duke fituar ndeshjen me Erzenin.

E kemi diskutuar, analizuar dhe kjo javë ka qenë në fokusin e punës sonë, për të kaluar me sukses këtë ndeshje. Kemi krijuar një distancë të konsiderueshme me skuadrat e tjera, por Turbina është shumë afër. Vetëm një pikë na ndan dhe alternativa e vetme që kemi të shtunën është fitorja”, deklaroi 35- vjeçari.

“BONUSI”

Lushnja nuk humbet në shtëpi që nga 20 shkurti i vitit të kaluar (Lushnja-Egnatia 0- 3), por ama përballë do të kenë një ndër ekipet më të mira në transferta. Erzeni është skuadra më e mirë në transfertë (me 9 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje) dhe kjo e bën disi të frikshme, por ndryshe mendon “bomberi” lushnjar.

“Kemi përballë skuadrën e vendit të dytë, që është afër ngjitjes në Kategorinë Superiore. Është një ndeshje vërtet e vështirë dhe këtë e dimë. Por, nuk ka vend për pezmatim. Jemi përgatitur dhe ndihemi gati për të bërë një prezantim dinjitoz në ‘Roza Haxhiu’. Derisa luajmë në fushën tonë dhe para publikut që na mbështet, shanset i kemi të mëdha për të festuar”, përfundoi Canka.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"