Kanë 11 vite që nuk thyhen në Elbasan, Lushnja pret marshimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 20:52

Kanë 11 vite që nuk thyhen në Elbasan, Lushnja pret marshimin

Lushnja ka nisur dje përgatitjet anti-Elbasan. Verdhejeshilët do të jenë më të plotë në këtë transfertë, pasi u rikthehet Arbër Mone.

lushnja

Mesfushori i krahut të majtë ka ezauruar skualifikimin pas kartonit të kuq të marrë ndaj Devollit dhe pritet që të jetë një “forcë” më shumë në formacionin e Ilir Gjylës. Ndërkohë që kapiteni Fatjon Sefa vijon të jetë i dëmtuar dhe rrjedhimisht është i padisponueshëm. Objektivat nuk ndryshojnë, pasi skuadra do të udhëtojë për të mbrojtur kreun në këtë takim. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, sulmuesi Ervis Gjyla u shpreh:

“Transferta me Elbasanin është një përballje e fortë për ekipin e Lushnjës. Po përgatitemi që ekipi të jetë i gatshëm për të marrë një tjetër fitore, si e vetmja mundësi për ta mbrojtur vendin e parë. Të mbetesh në krye duhen shumë suksese dhe shumë pikë. Ekipi ka entuziazëm, pasi i është rikthyer kryesimit dhe shpresojmë tek ecuria e fitoreve”, është shprehur “Gjyla i vogël”. Precedenti – Lushnja ka plot 11 vjet që nuk humbet në transfertë me Elbasanin. Ka qenë pikërisht 25 tetori i vitit 2008, kur verdheblutë mundnin për të fundit herë verdhejeshilët, me golat e Kacolles dhe Hyshmerit. Kjo ka qenë edhe sfida e fundit mes tyre në Kategorinë Superiore.

lushn

Më pas janë 6 përballje, të gjitha në Kategorinë e Parë, ku lushnjarët nuk njohin humbje. Kanë fituar dy herë dhe kanë barazuar në katër transferta.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"