Kandidimi në UEFA, Armand Duka nis fushatën në rajon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2017 | 11:55

Kandidimi në UEFA, Armand Duka nis fushatën në rajon

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit është një prej kandidatëve për zgjedhjet e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Numri një i institucionit të futbollit në vendin tonë do të garojë për të fituar një vend nga tetë të mundshmit, ndërkohë që numri total i kandidatëve në këtë garim është 13.

Duka-Ceferin

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se Armand Duka ka nisur një fushatë në federatat e rajonit, për të diskutuar mbi mbështetjen rreth kandidaturës së tij. Një ndër figurat e para është ajo e Dejan Saviçeviç që është kontaktuar. Edhe pse jo personalisht, kreu i FSHF-së ka lobuar pranë numrit një të Federatës së Futbollit të Malit të Zi.

Në një deklaratë të dhënë ditë më parë, kreu i institucionit të futbollit në vendin tonë u shpreh se e konsideronte veten e tij me të paktën dy vota, duke iu referuar mbështetjes nga Kosova. Në vijim, pritet që Duka të vijojë edhe me të tjerë krerë federatash në vende të ndryshme për të tentuar lobingun dhe një lloj garantimi të mbështetjes në votimin që do të kryhet për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"