Kanarsa në debutim, trajneri i Apolonisë porosi pa fund përpara sfidës ndaj Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 9:46

Kanarsa në debutim, trajneri i Apolonisë porosi pa fund përpara sfidës ndaj Erzenit

Apolonia u ka dhënë fund përgatitjeve anti-Erzen, me një seancë të zhvilluar dje pasdite. Në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” ishte i pranishëm edhe presidenti Koço Kokëdhima, që është munduar të mobilizojë grupin para startit të Kategorisë së Parë.

JURIJ KANARSA

Ai u ka dhënë mbështetje të plotë lojtarëve dhe sigurisht italianit që drejton fierakët. Numri një i klubit ka ndjekur me vëmendje stërvitjen dhe është parë teksa ka biseduar gjatë me anëtarë e stafit teknik dhe drejtuesit e tjerë të klubit.

Kalendari nuk ka qenë fort dashamirës për bardhejeshilët, pasi në premierë do të presin shijakasit që kanë bërë merkato vërtet cilësore dhe kanë shpallur zyrtarisht pretendimet për t’u ngjitur.

Juri Kanarsa ka dhënë porositë finale dhe pritet që sot të ketë një grup të plotë, pasi mungesa nuk ka. Lojtarët janë në gjendje optimale, ndërsa me shumë interes pritet debutimi i Emiljano Hidrit në mbrojtje dhe Mustafa Xhixhiuas në sulm. Në provat e bëra për formacionin, ata janë llogaritur si titullarë.

Trajneri është i kënaqur me grupin që ekipi ka në përbërje dhe beson shumë tek arritja e një rezultati pozitiv në ndeshjen hapëse të kampionatit. Siç dihet, Kategoria Superiore është objektivi parësor i Apolonisë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"