Kanarsa, ‘dush’ Apolonisë: Boll me këto luhatje! Nuk duhet ta lëshojmë vendin e 4-t

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2022 | 22:40

Kanarsa, ‘dush’ Apolonisë: Boll me këto luhatje! Nuk duhet ta lëshojmë vendin e 4-t

Luhatjet lodhin Juri Kanarsën. Apolonia fiton bindshëm një ndeshje, por në tjetrën e pëson. Nëse një javë më parë u dha leksion kryesuesve, të shtunën u mund nga një ekip që rrezikon rënien.

kanarsa

Kur kampionati po shkon në metrat e fundit dhe gara për “play off”-in është ende e hapur, trajneri e ka marrë marrin situatën në kontroll. Skuadra dje u rikthye në fushë, por para se të niste stërvitjen, zhvilloi një mbledhje. Zgjati afro 10 minuta, por italiani nuk u kursye aspak.

“Shkundi” gjithkënd dhe qartazi u kujtoi se në 5 ndeshjet e fundit gabimet nuk tolerohen. Vendi i 4-t është misioni i bardhejeshilëve, ndaj deri në finish do të punohet me llogari.

“Nuk jemi kurrkund kur luajmë në transfertë. Pjesa e parë rezultoi fatale, pësuam dy gola brenda pak minutave dhe nuk reaguam si duhet kur ishim në disavantazh. Kurrsesi nuk mund t’i ndërlikojmë pozitat tona në renditje me të tilla humbje. Nëse duam të arrijmë objektivin sezonal, atëherë le të shtojmë ngarkesën në stërvitje dhe njëkohësisht përqendrimin në ndeshje. Transfertat i vuajmë shumë, madje në dy të fundit kemi dalë pa pikë. Aspak mirë, për më tepër që ne jemi të vetëdijshëm për luhatjet tona në kampionat.

E theksoj që në transfertë duhet të luajmë pa frikë, sepse asnjë kundërshtar nuk është favorit ndaj nesh. Duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga humbjet, sepse vetëm kështu përmirësohemi. Kjo humbje nuk është fundi i botës, madje ulemi plotësisht me këmbë në tokë dhe kuptojmë se Apolonia ende nuk është në lartësinë e dëshiruar prej muajsh. Ndeshja e radhës është vetëm pas pak ditësh, ndaj kërkoj autokritikë të menjëhershme ndaj Pogradecit. Vendin e katërt në klasifikim nuk duhet ta diskutojmë.

Fiksojeni mirë në kokë, 5 javët e ardhshme vendosin gjithë fatin e sezonit. Pres reagimin tuaj direkt, sepse asgjë nuk është siguruar në tabelën e renditjes”, u është drejtuar trajneri të tijve. Më pas ka nisur stërvitjen, e cila zgjati dy orë. Ngarkesat nuk munguan, por mbi të gjitha këshillat pas çdo ushtrimi. Lajm i mirë është rikthimi i Mateo Shahajt. Mesfushori ka lënë pas stërvitjen dhe pritet në fushë për javën e 26-të.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"