Kamza zyrtarizon 11 futbollistë për elitën, drejtuesit: Mbijetesën duhet ta sigurojmë që në fazën e tretë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2017 | 11:08

Kamza zyrtarizon 11 futbollistë për elitën, drejtuesit: Mbijetesën duhet ta sigurojmë që në fazën e tretë

Kamza ka nisur të marrë formë, në mënyrë që të jetë gati për të marrë pjesë në elitën e futbollit shqiptar. Gjatë javës që shkoi ajo ka zyrtarizuar 11 futbollistë, ku 7 prej tyre kanë qenë pjesë e grupit që mbyllën sezonin e kaluar, ndërsa 4 janë të afruar gjatë merkatos së kësaj vere.

kamza

Presidenti Qarri dhe kryebashkiaku Mziu, tashmë të dy në një linjë të fortë bashkëpunimi për skuadrën e futbollit, kanë vendosur që formatimi i skuadrës të jetë i plotë dhe fillimi i gushtit të nisë me fazën intensive përgatitore. Ata sot në drekë do të prezantojnë dhe 4 lojtarët e parë që janë afruar së fundmi në ekip: braziliani Bruno Arrabal, laçiani Alfred Zefi, portieri Argent Halili dhe mbrojtësi Hektor Idrizaj që do të firmosë sot.

KONTRATAT

Krahas afrimeve të reja në merkato, drejtuesit kanë punuar edhe për marrëveshjet me futbollistët që kanë qenë pjesë e Kamzës, të cilët kanë firmosur rinovimin e kontratës deri më 2019-n.

Kështu emrat e atyre që vijojnë nga skuadra e një sezoni më parë, nisin me portierin Fabio Gjonikaj, i cili ka kontratë deri më 2021, Xhuljo Mehmeti deri më 2019, Leonardo Silva Leilis 2018 plus një vit rinovim, Erlis Frashëri deri në 2019, Aristotel Koleci deri në fund të sezonit 2017-2018 plus rinovim edhe për një tjetër sezon, Ermir Rezi deri në vitin 2019 dhe Luarts Lame deri në vitin 2018 plus një vit rinovim.

kamza

Kështu janë zyrtarizuar deri më tani 11 lojtarë, të cilët janë të sigurt për edicionin e ri. Pritet që nesër të firmosë edhe Spartak Elmazi. Ndërkohë që deri të mërkurën, numri i lojtarëve të zyrtarizuar të shkojë në 18.

DREJTUESIT

Të dy drejtuesit e Kamzës kanë deklaruar se do t’i bëjnë të lumtur tifozët duke ndërtuar një sistem të bazuar te kërkesat e trajnerit për përzgjedhjen e lojtarëve. Sipas tyre, kjo është shumë e rëndësishme duke bërë që sportdashësit të kenë para tyre një ekip që luan mirë dhe futboll argëtues.

Sipas tyre, ekipi duhet të ketë objektiva të qarta dhe të punojë sa më shumë në mënyrë që të ketë një sezon pozitiv. Në funksion të kësaj, drejtuesit kanë përzgjedhur lojtarët që tashmë janë afruar në ekip, si dhe tek ata lojtarë që janë pikëtuar dhe pritet që t’i bashkohen skuadrës gjatë ditëve në vijim.

“Madje kemi besimin e plotë te tekniku Ndreu, që me punën dhe përkushtimin e tij maksimal, Kamza do të jetë jo vetëm konkurruese, por dhe e denjë për një përfaqësim dinjitoz. Ajo që kërkojmë këtë sezon është mbijetesa që ne duhet ta sigurojmë që në fazën e tretë”, janë shprehur drejtuesit e klubit.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"