Kamza si në “Big Brother”, përqafime me rivalët e fundjavës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2018 | 22:54

Kamza si në “Big Brother”, përqafime me rivalët e fundjavës

Prej ditësh, Kamza ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku të dielën në shtëpinë tyre presin Partizanin për të luajtur derbin e tretë për këtë sezon. Në këtë takim rikthehet Zguro për trajnerin Ndreu, por mungon Frashëri. Kamza ka zhvilluar dje një seancë stërvitore të veçantë më kompleksin e FSHF-së. Këtë seancë ishte planifikuar ta ndiqnin edhe trajnerët që vazhdojnë kursin “UEFA PRO”.

kamza

Por, në pjesën e fundit, ata janë vizituar edhe nga kundërshtarët e radhës, por edhe nga ata të javës së shkuar. Pra, Kamza ka kryer dje një stërvitje si në “Big Brother”, duke qenë të fokusuar nga të gjithë anët. Në pankinë qëndronin kursantët e “UEFA PRO” me laps e letër në dorë, ndërsa në anën tjetër të fushës ishin lojtarët e Partizanit, që prisnin që kamzalinjtë t’u lironin fushën. Në fushën ngjitur, Laçi, kundërshtari i Kamzës në javën e 26-të, nisi procesin stërvitor.

Kamza dhe Partizani janë kundërshtarë në fushë të dielën, por dihet që lojtarët e dy kampeve kanë njohje të vjetra me njëritjetrin, gjë e cila u pa në fund të seancës, kur shpërthyen përqafimet e bisedat mes palëve. Raçiç u përshëndet me të gjithë, por më shumë bisedoi me patriotin e tij, Milan Kulum. Nuk munguan as përqafimet braziliane mes Lukasit të Partizanit dhe Lelis e Arrabal të Kamzës. Përqafimeve dhe bisedave nuk u shpëtuan edhe ish-ët e tjerë si, Gjonikaj, Plaku dhe Fili. Në këtë proces u përfshinë edhe trajnerët kursantë që kanë lidhje dhe njohje me dy klubet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"