Kamza refuzon Apoloninë, ja kaosi me miqësoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2016 | 13:15

Kamza refuzon Apoloninë, ja kaosi me miqësoren

Histori shqiptare në Fier. Apolonia kishte planifikuar zhvillimin e një ndeshjeje miqësore mbasditen e djeshme në stadiumin e saj ku përballë do të kishte Kamzën. Dhjetëra tifozë fierakë që donin të ndiqnin ekipin e zemrës, menaxherë e prindër të lojtarëve të ardhur nga Maqedonia e Kosova për provë, kishin zënë vend në shkallët e stadiumit për të ndjekur takimin i parashikuar të luhej në orën 17:00.

apolonia luftetari

Por, Kamza që e kishte kërkuar vetë këtë ndeshje miqësore nuk u paraqit. Fierakët nisën të bënin telefonatat e rastit, në një kohë që minutat kalonin. Kamzalinjtë nuk kishin lajmëruar fare për refuzimin e tyre. I vetmi që u ka kthyer përgjigje fierakëve ka qenë drejtori teknik i Kamzës, Kreshnik Krepi.

Në një mesazh të dërguar drejtuesve fierakë, Krepi shkruante: “Unë ndodhem në Mal të Zi për të parë një lojtar. Nuk e di pse nuk është paraqitur skuadra në Fier”. Trajneri Demiraj, administratori Memallaj, lojtarët dhe të gjithë sportdashësit kanë mbetur të zhgënjyer nga e gjithë kjo histori.

kamza

Fierakët kanë pritur deri në orën 18:00, por Kamza nuk është shfaqur fare në stadium. Më pas, ekipi ka zhvilluar stërvitje normale. Ndërsa, gjatë paradites së djeshme, Luftëtari dhe Kamza njoftuan se do të luajnë sot një miqësore mes tyre në stadiumin e Kamzës.

Memallaj

Administratori i Apolonisë, Kamber Memallaj, në lidhje me situatën e djeshme u shpreh: “Jemi paksa të irrituar nga kjo mospërgjegjësi e drejtuesve të Kamzës. Ishin vetë ata që kërkuan zhvillimin e kësaj ndeshjeje miqësore ditën e premte në Fier, pasi të nesërmen kishin planifikuar të zhvillonin një tjetër miqësore në Gjirokastër me Luftëtarin.

Mirë që nuk erdhën, por të paktën të na kishin lajmëruar. Siç e shikoni, ne kishim marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e saj duke pasur dhe policinë në stadium. Jemi të zhgënjyer nga kjo mospërgjegjësi apo neglizhim i drejtuesve të klubit të Kamzës”.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"