Kamza pret Orelesin, Idrizaj: I marrim pikë edhe Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 13:36

Kamza pret Orelesin, Idrizaj: I marrim pikë edhe Partizanit

Te Kamza, fitorja me Tiranën ka qenë mënyra më e mirë për të nisur sezonin e ri, ku trepikëshi ndaj bardhebluve ka rritur adrenalinën dhe moralin e skuadrës. Këtë të shtunë Kamza do të presë Partizanin, një tjetër takim derbi. Merkatoja e Kamzës ka qenë e bollshme, por drejtuesit presin sërish përforcime, kryesisht një alternativë për portën.

Idrizaj Kamza

Nuredin Orelesi quhet pjesë e Kamzës, por ai ende nuk i është bashkuar ekipit. Flitet se sot nigeriani mund të vihet nën urdhrat e trajnerit Devolli. Hektor Idrizaj, në një prononcim të dhënë për “SuperSport”, pohoi se Kamza synon të fitojë edhe derbin me Partizanin. “Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Jemi të kënaqur me rezultatin, pasi e vlerësuam ndeshjen dhe e nisëm mirë. Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe Tirana tregoi kualitetin e tij, por ndeshjen e vendosin edhe episodet. Në fillim të kampionatit është e rëndësishme që të kapësh ritmin dhe ne kishim pak mungesë besimi në mbajtjen e topit dhe qarkullimin e tij, por e kompensuam me grintën dhe shpirtin luftarak që treguam në fushë. Tani kemi Partizanin, që ka vlerat dhe specifikat e veta. Është një skuadër me cilësi, por ne jemi duke punuar dhe jemi gati të japim maksimumin. Besoj se do të jetë një ndeshje për t’u shijuar, ku të dyja skuadrat do të japin më të mirën dhe do të fitojë ajo që do ta meritojë. Duhet të mos dalim pa pikë.

Objektivat? Është shpejt për të folur për objektiva që tani. Secili ka objektivin e vet, por ne duhet të shohim përmirësimin dhe kolaudimin e skuadrës. Ne duhet të shohim vetëm ndeshjen e radhës dhe të punojmë shumë”, u shpreh Hektor Idrizaj.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"