Kamza, Plaku: Luftojmë në dy fronte, nëse klubi largoi Devollin, do të thotë se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 20:47

Kamza, Plaku: Luftojmë në dy fronte, nëse klubi largoi Devollin, do të thotë se…

Kapiteni i Kamzës, Sebino Plaku, ka folur dje për herë të parë enkas për “Panorama Sport” lidhur me ndryshimet që janë bërë në skuadër që pas humbjes së fundit ndaj Teutës. Ai ka komentuar shkarkimin e trajnerit Bledar Devolli, ndërsa ka folur edhe për ndeshjen e radhës, si dhe të ardhmen e klubit.

Sebino Plaku

Sebino, lidhur me vendimin e drejtuesve të klubit për të larguar trajnerin Devolli keni ndonjë koment?

Për largimin e trajnerit Devolli ishte një vendim që e mori klubi. Nuk mund të marrim vesh se çfarë ndodh me stafin apo se kush do të shkarkohet apo do të largohet. Nuk mund të japë ndonjë përgjigje për vendime që nuk janë krejtësisht në dorën tonë. Ato i dinë drejtuesit e klubit. Ndonëse një largim kaq i shpejtë që në tri javët e para do të thotë që pritshmëritë e klubit janë të mëdha. S’mund të them diçka më shumë, sepse është një pyetje që u përket atyre.

Cilat janë pritshmëritë e klubit?

Ne si lojtarë kërkojmë të bëjmë punën tonë, ndërsa kjo është pjesë e klubit. Gjithsesi, nga ana e tyre kërkohet më shumë se ç’kemi dhënë.

Lidhur me financimet në klub, jemi në dijeni se deri në tetor klubi i ka të likuiduar rrogat e lojtarëve, por nëse do të krijohen probleme apo krisje të anës financiare dhe partnerja tjetër, ajo e bashkisë nuk do t’i përgjigjet, çfarë mund të ndodhë?

Nuk di të përgjigjem për një pyetje që nuk më takon mua. Ato janë thjesht probleme që drejtuesit e klubit gjejnë mënyra për t’i zgjidhur, ndërsa nëse ndodh një rast i tillë, normal që do të ndikojë edhe te ne. Çdo parregullsi financiare ndryshon të gjitha problemet dhe kjo ndikon deri poshtë te ne. Gjithsesi, ne urojmë që çdo gjë të vijë drejt normalitetit. Në këtë rast duhet të grumbullohen të gjitha forcat për ta përballuar këtë sezon. Edhe vitin e shkuar ka qenë shumë e vështirë, prandaj unë uroj që të bashkohen të gjitha forcat si presidenca po ashtu edhe bashkia, edhe zoti Mziu, duhet të jenë bashkë në qëllimin e skuadrës, kjo do ta bëjë akoma më të fortë Kamzën.

Kamza këtë javë do të impenjohet në dy kompeticione, a mund të luftoni me seriozitet në dy fronte?

Për sa i përket aktivitetit të Kupës, do jemi të detyruar të respektojmë kupën. Është një kompeticion që duhet respektuar, pasi është një aktivitet që ka dhe ai rëndësinë e vet. Për disa ekipe është një mënyrë për të shkuar në Europë dhe duhet të jesh në nivelet më të mira. Unë e sqaroj se ne nuk i kemi këto nivele. Kështu që ne do të përpiqemi të zhvillojmë ndeshje të bukura, për të respektuar kompeticionin. Ndërsa, sfida me Kastriotin në kampionat është goxha e rëndësishme, është një sfidë e kampionatit, ku po të krahasojmë objektivat që kemi atë të mbijetesës kjo është një përballje rivalësh direkte. Duke qenë se Kastrioti është një rival i joni dhe serioziteti e rëndësia e kësaj ndeshjeje është e madhe. Kastrioti ka një ekip për t’u vlerësuar, i kam parë dy ndeshje dhe trajneri i tyre është mjaft kërkues po ashtu edhe lojtarët mundohen të zbatojnë detyrat. Kështu që mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft e fortë dhe e luftuar.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"