Kamza nuk paraqitet dhe “braktis” garën, në fushë ishin vendosur disa çadra
Ndeshja e javës së 12-të mes Kamzës dhe Sopotit, e planifikuar të luhej dje në stadiumin e Kamzës, nuk është zhvilluar. Kamza nuk është paraqitur në stadium dhe skuadra e Sopotit pret tashmë nga Komisioni i Disiplinës të marrë fitoren në tavolinë.
Sopoti kishte ardhur në stadiumin e Kamzës që në orën 12:00, ndërsa më herët kishin mbërritur edhe katër arbitrat shkodranë të caktuar për gjykimin e kësaj ndeshjeje, Bekris Dragusha, Saimir Hysejni, Besart Pepnikaj dhe Ditmar Grimci.
Kamza nuk është paraqitur, madje as drejtuesit kryesorë të klubit. Të pranishëm ishin vetëm dy lojtarëve të Kamzës, që kishin ardhur më shumë për kureshtje. Delegati i ndeshjes, Alban Xhema, si dhe vëzhguesi Qemal Koçi bashkë me 4 arbitrat e ndeshjes, kanë zbatuar rregulloren, duke pritur për 45 minuta në stadium, por askush nuk u bë i gjallë.
ÇADRAT – Duhet thënë se në stadium kanë qenë disa çadra të vendosura nga ana e bashkisë në ndihmë të familjarëve të dëmtuar nga tërmeti. Edhe nëse kamzalinjtë do të ishin paraqitur, ky takim mund të shtyhej, por Kamza duhej të kishte marrë masat e duhura për të zhvilluar takimin si vend organizator.
Edhe nëse ishte i zënë stadiumi, drejtuesit e saj duhej të gjenin një fushë tjetër për të pritur Sopotin. Për të gjitha këto, delegati Alban Xhema ka mbajtur shënimet e nevojshme dhe do t’ia raportojë Komisionit të Disiplinës. Sopoti do ta fitojë këtë ndeshje në tavolinë 3-0, në bazë të rregullores së përcaktuar për tilla raste.
ABDULLA DUSHKU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"