Kamza në kaos, sot vendoset për të ardhmen e trajnerit Ramadan Ndreu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2018 | 11:48

Kamza në kaos, sot vendoset për të ardhmen e trajnerit Ramadan Ndreu

Humbja e fundit me Kukësin ka tronditur Kamzën. Menjëherë pas ndeshjes, trajneri Ramadan Ndreu deklaroi se kishte menduar largimin, por nuk mund ta braktiste skuadrën në këtë moment të vështirë. Ndërkohë, dje ka qarkulluar lajmi se drejtuesit e Kamzës kanë shkarkuar trajnerin, duke mos e përtypur deklaratën që ai kishte dhënë pas ndeshjes.

Kamza Ndreu

Mirëpo, si presidenti Naim Qarri dhe vetë Ndreu, e mohojnë diçka të tillë, pavarësisht se në deklaratat për “Panorama Sport” lënë të kuptohet se zyrtarizimi i largimit të trajnerit do të bëhet sot, kur pritet të bëhet një mbledhje urgjente me skuadrën. Natyrisht, për këtë vendim duhet pritur edhe fjala e fundit e kryebashkiakut Xhelal Mziu.

“Janë thashetheme. Ne si drejtues nuk kemi marrë asnjë vendim. Nëse do të kishte diçka, do ta njoftonim për mediat”, është shprehur shkurtimisht dje për gazetën presidenti Qarri. Nga ana tjetër, trajneri Ndreu ka sqaruar se ndoshta deklarata e tij pas ndeshjes nuk ka lënë një shije të mirë te drejtuesit.

Kamza

“Duke u nisur nga ajo që thashë pas ndeshjes me Kukësin, se kam menduar dorëheqjen, natyrisht për këtë drejtuesit po mendojnë një zgjidhje. Por, unë nuk mund të largohem kaq lehtë nga Kamza pa një marrëveshje me klubin. Për momentin nuk mund të them asgjë sepse nuk më ka komunikuar askush shkarkimin.

Sot (dje) ekipi është lënë pushim dhe nesër (sot) do të mblidhemi për të diskutuar. Nuk parashikoj se çfarë mund të ndodhë. E përsëris, unë nuk mund ta braktisë ekipin në këtë moment. Gjithsesi, do flasim me drejtuesit”, konfirmoi Ndreu. Kësisoj, sot pritet që të zyrtarizohet gjithçka, teksa gjasat janë që trajneri të mos jetë më Ndreu dhe të mendohet për një emër tjetër për pankinën. Situata sapo vjen dhe bëhet më e vështirë me skuadrën që rrezikon mbijetesën pas humbjeve të njëpasnjëshme në kampionat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"