Kamza në “ajër”, asnjë lojtar nuk ka firmosur kontratën e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 12:15

Kamza në “ajër”, asnjë lojtar nuk ka firmosur kontratën e re

Kamza e trajnerit Ramadan Ndreu mbetet një kantier i hapur, pasi të shumtë janë lojtarët që vijnë në provë, por deri tani asnjë nuk ka firmosur. Ndonëse emrat e lakuar si përforcime të mundshme janë të shumtë, për momentin Kamza mbetet në “ajër”, pasi mungojnë nënshkrimet e kontratave të reja me futbollistët.

kamza

Jo vetëm lojtarët e rinj që kanë ardhur rishtas te kamzalinjtë, por ka edhe nga të mbijetuarit e sezonit të shkuar që ende nuk kanë firmosur me drejtuesit e klubit. E paqartë mbetet e ardhmja e mbrojtësit Erlis Frashëri, i cili, ndonëse përgatitet me ekipin, ende nuk konsiderohet 100% pjesë e Kamzës së Superiores. Korçari akoma nuk e ka gjetur akordin financiar me kamazalinjtë për sezonin e ri. Mbrojtësi është i dyzuar për të vendosur për të ardhmen, pasi përpos Kamzës ka edhe një interesim konkret nga ana e Pogradecit në Kategorinë e Parë.

Çdo seancë stërvitore te Kamza shoqërohet me prurje, pasi klubi mbetet i hapur për testime dhe ndoshta zgjatja e këtij procesi ka bërë që drejtuesit të mos nxitohen me nënshkrimin e kontratave të reja. Së fundmi nën urdhrat e trajnerit Ndreu janë vënë mesfushori brazilian Bruno Arrabal, i cili duket se po bind, si dhe një sulmues nga Gana, Noel Nyason.

Kamza

Prurjet kanë vijuar edhe dje, pasi pjesë e testimeve është bërë afrikani i Burrelit të sezonit të shkuar, Hussen Lukman, si dhe serbi Marko Mehmetoviç. Gjithashtu, dje është rikthyer te Kamza, Alvi Gjonaj. Lajme të mira vijnë edhe nga punimet e stadiumit, pasi ka mbërritur tapeti i ri i fushës dhe menjëherë ka nisur shtrimi i tij.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"