Kamza, ndaj Besëlidhjes me… berber me vete

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2017 | 11:05

Kamza, ndaj Besëlidhjes me… berber me vete

Kamza do të luajë në fundjavë një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit ndaj Besëlidhjes. Lezhjanët janë rivali i ekipit të Bledar Devollit në garën për ngjitjen në Superiore dhe një fitore ndaj tyre do të bënte që kamzalinjtë t’ua shuanin këtë objektiv.

Erlis Frasheri Kamza

Erlis Frashëri

Kjo përballje është vlerësuar shumë nga të gjithë futbollistët. Më konkretisht, Erlis Frashëri dhe Albi Çekiçi kanë bërë një premtim disi të pazakontë. Ata kanë vendosur që të marrin me vete në Krujë, ku do të luhet edhe takimi, berberin e tyre personal. Kjo pasi, në rast fitoreje, kanë vendosur të qethen tullacë.

Një deklaratë e tillë ka shkaktuar shumë ilaritet në grup dhe do të mbetet për t’u parë nëse futbollistët do ta realizojnë vërtet një gjë të tillë, në rast se skuadra e tyre merr trepikëshin në këtë takim të rëndësishëm. Diferenca e Kamzës me Besëlidhjen është 10 pikë dhe favoritë për t’u ngjitur sezonin e ardhshëm në Superiore janë pa dyshim lezhjanët.

Albi Cekici

Deklarata

Kamzalinjtë, nga ana tjetër, kanë vazhduar normalisht përgatitjet për këtë ndeshje. Kapiteni Sefa ka ndier dhimbje në kofshën e djathtë dhe mund të mungojë. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e plotë. Ndërkohë, në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi Valdano Nimani ka shprehur bindjen e tij se, nga stadiumi i Krujës, ekipi i tij do të dalë fitimtar.

“Jemi duke kaluar një moment të mirë dhe në ndeshjen ndaj Besëlidhjes do të luajmë thjesht takimin e radhës me objektiv për të marrë fitoren. Por, dëshiroj shumë që të luajmë një ndeshje të bukur, e cila të jetë model edhe për Superioren. Natyrisht që në fushë do të kenë një lojë ‘fair-play’ nga ana jonë. E vlerësojmë kundërshtarin, por ne do të jemi ata që do të bëjmë hapin përfundimtar drejt ngjitjes në Superiore”, ka thënë Nimani.

Trajneri Devolli, gjatë seancave stërvitore, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të vlerësojmë kundërshtarin dhe të jeni të motivuar, duke respektuar me përpikëri detyrat që ai u ka dhënë gjatë seancave stërvitore, pasi vetëm kështu mund të arrihet suksesi.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"