Kamza humbet “krahët”, Fukui pritet të luajë në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2018 | 10:36

Kamza humbet “krahët”, Fukui pritet të luajë në mbrojtje

Kamza merr një goditje para ndeshjes me Partizanin. Mbrojtësi i krahut, Hektor Idrizaj, do të mungojë për shkak të një dëmtimi, duke prishur jo pak planet e trajnerit Ramadan Ndreu për formacionin. Mungesa e vlonjatit vjen në momentin më të keq, pasi Kamza nuk ka të gatshëm as mbrojtësin tjetër të krahut, Erlis Frashërin.

kamza

Ky i fundit u pezullua nga Disiplina me katër ndeshje, duke ia shtuar edhe më shumë hallet trajnerit Ndreu. Gjithsesi, në seancat e fundit është punuar më tepër me mbrojtjen, pasi Idrizaj dhe Frashëri kanë lënë një “gropë” të madhe. Gjetja e trajnerit Ndreu është spostimi i mesfushorit të krahut, Masato Fukui, në rolin e një mbrojtësi të djathtë.

Duke parë karakteristikat e japonezit, i cili dallohet për luftën sportive, Ndreu ka menduar ta përshtatë në këtë pozicion. Në pozicionet e tjera të repartit difensiv do të jenë të zakonshmit, Çukoviç dhe Kuqi në qendër, si dhe i rikthyeri Vangjel Zguro në krahun e majtë.

kamza fukui plaku

PORTA DHE FILI – Një dilemë e madhe për trajnerin Ndreu duket se është porta. Gjonikaj dhe Avdyli luftojnë për një vend, ndërkohë që në ndeshjen e fundit në Laç, nga minuta e parë e nisi kosovari. Nga stërvitjet e fundit, Ndreu nuk ka dhënë indicie për portierin, që do të jetë titullar kundër Partizanit. Nga ana tjetër, duket e sigurt se këtë herë nga minuta e parë do të jetë Realdo Fili, i cili rikthehet si ish kundër Partizanit, me të cilin luajti deri në dhjetor 2017.

Kamza

Një fanellë titullari edhe për mesfushorin kosovar, Malaj, ndërsa sulmi do të jetë ai i zakonshmi, me dyshen Raçiç-Plaku, teksa ky i fundit do të jetë disi më i tërhequr, duke formuar skemën 4-4-1-1. Ndërkohë që, prej 24 shkurtit Kamza nuk fiton në kampionat, duke pësuar tri humbje dhe gjithashtu barazuar dy herë në pesë ndeshjet e fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"