Kamza ha “koka trajnerësh”, batuta e Ndreut: Shkarkojmë edhe Milinkoviçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2017 | 15:08

Kamza ha “koka trajnerësh”, batuta e Ndreut: Shkarkojmë edhe Milinkoviçin

Nga Daniel Fernandez i Luftëtarit, tek Armando Cungu i Vllaznisë dhe së fundmi te Mark Iuliano i Partizanit, skuadra e Kamzës është kthyer në një makth për trajnerët e Superiores. I pari u shkarkua pas fitores së kryeqytetasve, në Gjirokastër në shifrat 1-2. Ndërsa, Cungu u largua nga drejtimi i ekipit pas humbjes së Vllaznisë në Kamzë në shifrat 1-0. Me të njëjtin rezultat humbi edhe Iuliano me Partizanin e tij në të njëjtin stadium.

Kamza

DEKLARATA

Tre teknikët e sipërpërmendur janë larguar nga pozicionet e tyre pikërisht pas humbjeve me ekipin e drejtuar nga Ramadan Ndreu. Ky i fundit, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh:

“Unë nuk di gjë se çfarë ndodh me trajnerët e Superiores dhe problemet që ata kanë me drejtuesit apo me vetë klubin. Ne shohim punën tonë. Nëse shkarkimet e tyre janë bërë, nga humbjet me skuadrën tonë, për këtë nuk jam unë ‘mëkatari’. Ne kemi një objektiv si skuadër dhe çdo kundërshtar e vlerësojmë maksimalisht, duke kërkuar gjithnjë maksimumin e kjo ka qenë plotësisht e efektshme, pasi jemi përballë pa frikë ndaj çdo kundërshtari të Superiores.

Fakti që ne jemi në vendin e 4-t tregon se puna jonë është në rrugë të mbarë. Arritja aktuale ka ardhur si pasojë e një pune sistematike dhe të një merkatoje mjaft të shkëlqyeshme në verë. Edhe pse skuadra jonë u krijua rishtas, ne parashikonim që efektet të vinin pas javës së 7-të të kampionatit.

Sigurisht që efektet e tanishme, duke u renditur në krye të 4 skuadrave më të mira të vendit, janë si pasojë e punës tonë si staf teknik, por edhe në sajë të përkushtimit të drejtuesve të klubit, si presidenti Naim Qarri po ashtu edhe të kryebashkiakut Xhelal Mziu. Të jem i sinqertë, nuk e prisnim që të ishim këtu”, ka sqaruar tekniku kamzali.

Madje, me shaka, ai thotë: “Ne do të fitojmë edhe javën e ardhshme ndaj Kukësit, mbase është radha e të katërtit”, ka qenë batuta e Ndreut. Nën drejtimin e tij, në përfundim të fazës së parë të kampionatit, kamzalinjtë kanë arritur të sigurojnë katër fitore, tri barazime dhe dy humbje, duke qenë shumë pranë zonës europiane.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"