Kampioni i Europës emigron nga halli në San Marino, Smajlaj: Synoj sërish titullin kampion në Berlin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2017 | 17:08

Kampioni i Europës emigron nga halli në San Marino, Smajlaj: Synoj sërish titullin kampion në Berlin

Kampioni i Europës në garën e kërcimit së gjati në Europianin e sallave të mbyllura që u zhvilluar këtë vit në Beograd, atleti shkodran, Izmir Smajlaj, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë stërvitjeje. Ai prej disa ditësh ndodhet në San Marino, ku po stërvitet për të përgatitur sa më mirë garat e vitit të ardhshëm.

Izmir Smajlaj kampion Europe

Këtij kampion Europe nuk i janë afruar kushtet ideale as në kryeqytet, por as në qytetin e tij të lindjes, kështu ai ka vendosur që të emigrojë në shtetin e vogël Europian për t’u stërvitur. Smajlaj ka zgjedhur këtë vend edhe për një arsye tjetër: “Është hera e tretë që stërvitem në San Marino dhe ky vend më ka sjellë fat e mbarësi. Një javë para Europianit erdha këtu, u stërvita dhe më pas mora medaljen e artë në Beograd duke vendosur rekordin kombëtar në kërcim së gjati (8.08 metra)”, shprehet Smajlaj.

Gjithashtu, ky atlet ka në planet e tij për vitin e ardhshëm që të përsëritë të njëjtin rezultat edhe në Europianin e sallave të mbyllura që do të zhvillohet në Birmingem, të Anglisë dhe jo vetëm, pasi ai do të tentojë medaljen e artë edhe në Europianin e Berlinit që do të zhvillohet po këtë vit.

Izmir Smajlaj shqiponje

Duke shpalosur objektivat e tij për 2018-ën, kampioni europian i atletikës, Smajlaj shprehet: “Në Birmingem do të më pëlqente të fitoja sërish një medalje, por objektivi im kryesor është të fitoj titullin kampion edhe në Europianin e sallave të hapura, në Berlin. Dua të jem kampion edhe në sallat e hapura, ndaj po përgatitem fort dhe me shpresën që të realizoj objektivat e mi”, u shpreh më tej për mediat vendëse atleti shqiptar, i cili synon të ngrejë lart flamurin kuqezi edhe në vitin 2018.

smajlaj

Një lidhje, ajo midis San Marinos dhe atletikës shqiptare, ka lindur nga ana e presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës dhe njëkohësisht, trajneri i Izmir Smajlajt, Gjergj Ruli, i cili shprehet: “Për mua është si të jem në shtëpi, mes federatave të San Marinos dhe Shqipërisë, ka një raport të shkëlqyer. Dy vite më parë një skuadër e San Marinos erdhi në Shqipëri për një garë dhe do të kthehet sërish së shpejti”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"