Kampionët e Europës 2004, në fushë ndaj Arisit për Artur Lekbellon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2017 | 19:48

Kampionët e Europës 2004, në fushë ndaj Arisit për Artur Lekbellon

Më 17 maj, në stadiumin “Kleanthis Vikelidis” të Selanikut do të zhvillohet një ndeshje miqësore mes veteranëve të Arisit dhe lojtarëve që shpallën Greqinë kampione të Europës në vitin 2004. Kjo miqësore bamirësie do të bëhet për të ndihmuar Artur Lekbellon në terapinë që duhet të bëjë për luftimin e sëmundjes së rrallë.

greqia kampione europe 2004

Lajmin e kanë konfirmuar drejtuesit e klubit të Selanikut, që kanë dalë në një konferencë për shtyp, bashkë me organizatorët e kësaj miqësoreje bamirësie, që janë miqtë dhe bashkëlojtarë të Lekbellos. Sipas mediave greke, më 17 maj ora 17:00, përballë veteranëve të Arisit do të jenë emra të rëndësishëm të futbollit grek si Basinas, Karagunis, Nikopolidhis, Janakopulos, Kacuranis, Dellas, Çartas, Qiriakos, Kafes, Gjeorgiadis, Haristeas dhe Salpingidis, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen për nder të Lekbellos.

Lekbello 2

Dy dyja ekipet u bëjnë thirrje mbështetësve të tyre për të luftuar për të forcuar praninë në stadium, në mënyrë që të arrihet qëllimi i kësaj miqësoreje bamirësie. Ata deklarojnë se do të jenë në krah të Lekbellos për të intensifikuar përpjekjet, duke mbledhur një shumë parash që bën të mundur terapinë e Arturit për sëmundjen e rrallë. Trajtimi është i kushtueshëm dhe Lekbello mbështetet fuqimisht jo vetëm nga tifozët, por edhe bizneset.

Bosi i kompanisë së gazit: Të mbështesim Lekbellon

Nismës së klubit të Arisit për të mbështetur Artur Lekbellon i është bashkuar dje edhe kompania më e madhe e shpërndarjes së gazit në Selanik. Në një konferencë për shtyp, presidenti i kësaj kompanie, Leonidhas Bakuras, theksoi se ishte një detyrim për te mbështetja e Lekbellos.

“Kompania jonë mbetet kontribuese për veprimet bamirëse. Si pjesë e përgjegjësisë sociale, jemi të nderuar që sponsorizojmë miqësoren mes veteranëve të Arisit dhe kampionëve të Europës 2004. Është një detyrim dhe një kënaqësi e madhe për kompaninë tonë që kontribuojmë në përmirësimin e shëndetit të ish-lojtarit të Arisit. Shpresojmë të mblidhen sa më shumë para, për të ndihmuar në sëmundjen e rrallë që ka Lekbello.

Me këtë rast, u bëj thirrje të gjithë tifozëve të zjarrtë të Arisit dhe natyrisht qytetarëve të Selanikut, që të mbushin stadiumin më 17 maj. Prania e tyre shpëton një jetë dhe ne jemi në krah të një njeriu të madh si Lekbello. Kompania jonë do të intensifikojë përpjekjet për të mbledhur sa më shumë, në mënyrë që Arturi të trajtohet në një klinikë të specializuar. Natyrisht, kjo sëmundje ka një trajtimi të kushtueshëm, por ne të gjithë bashkë do të bëjmë gjithçka për Lekbellon”, deklaroi dje Leonidhas Bakuras.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"