Kampione në Superligën e basketbollit, shkrihet skuadra: Kthehemi kur të funksionojë Ligji mbi Sportin dhe mbi Sponsorizimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 18:32

Kampione në Superligën e basketbollit, shkrihet skuadra: Kthehemi kur të funksionojë Ligji mbi Sportin dhe mbi Sponsorizimet

Sezoni i ri i Superligës së basketbollit në vendin tonë nuk do të ketë protagonist ekipin e Goga Basket. Skuadra e cila dy edicione më parë fitoi titullin kampion, është shkrirë dhe është vendosur që të mos merret pjesë në aktivitetet kombëtare.

goga-basket

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, drejtuesit kanë bërë të ditur se kanë vendosur të mbajnë në funksion vetëm akademinë, pasi nuk do të investojnë më në ekipin e parë për sa kohë që Ligji mbi Sportin dhe ai mbi Sponsorizimet nuk do të funksionojnë siç duhet e siç u ishte premtuar.

NJOFTIMI

Akademia Sportive Goga njofton ndjekësit e saj se nuk do të marrë pjesë në sezonin 2021 – 2022 të Superligës Kombëtare të Basketbollit për meshkuj.

Mospjesëmarrja jonë është deklaruar në muajin maj të këtij viti nëpërmjet një njoftimi drejtuar Presidentit të Federatës së Basketbollit. Sot ekziston një ligj për sportin që nuk zbatohet nga pushteti vendor si dhe ekziston po ashtu një ligj për sponsorizimet qe nuk ka asnjë impakt për të afruar biznesin me sportin.

Investimi ynë në ekipin elitar GOGA BASKET ka qenë një hap i rëndësishëm për promovimin e Pallatit të Sportit ‘Dhimitraq Goga’ i cili tashmë renditet ndër qendrat më të mira sportive në vend e rajon. Ky investim gjithashtu qe një hap i domosdoshëm për futjen e një fryme të re, duke dhuruar emocione të forta qytetarëve të Durrësit dhe komunitetit të basketbollit! Jemi krenarë që GOGA BASKET arriti tu shpallte Kampion i Shqipërisë në vitin 2019, nëpërmjet këtij financimi tërësisht privat!

Falënderime dhe mirënjohje për të gjithë tifozët e GOGA BASKET që kanë qëndruar besnik në ndjekjen e ekipit, si dhe të gjithë ata biznese që kanë sponsorizuar ndër vite tek ekipi nëpërmjet reklamave.

Sporti ka nevojë për biznesin, si në të gjithë botën, si në çdo lloj sporti…por ndoshta hapi ynë ishte i parakohshëm! Ndaj rikthehemi sërish në Superligë kur Ligji mbi sportin do gjej zbatim, dhe kur Ligji mbi sponsorizimet të ndryshohet ashtu siç është premtuar.

Akademia vazhdon misionin e saj, në promovimin e basketbollit dhe jetës së shëndetshme sportive tek të rinjtë e brezat. Fokusi ynë është tek ekipet e grupmoshave deri 18 vjeç, tek stërvitjet cilësore dhe identifikimi i talenteve, tek kampet sportive dhe aktivitetet brenda e jashtë vendit.

I urojmë suksese ekipeve pjesëmarrëse në këtë Kampionat!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"