Kampionati U17 / Partizani dhe Teuta fitojnë derbin, goleadë e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2017 | 18:44

Kampionati U17 / Partizani dhe Teuta fitojnë derbin, goleadë e Skënderbeut

Kampionati i U-17 nisi me një kryendeshje në grupin A, teksa Shkëndija e Tiranës priste Partizanin. Të kuqtë kanë bindur jo vetëm me lojë, por ishin efikas para portës, duke fituar me shifrat bindëse 0-3. Të besuarit e trajnerit Nikolin Çoçlli i kanë bërë kështu një start të shkëlqyer kampionatit.

partizani shkendija u17

Triumfi ka qenë i merituar për të kuqtë e vegjël, teksa është pranuar edhe nga kundërshtari. Skuadra e drejtuar nga Shpend Kumbarçja nuk u besonte syve që kishte humbur 0-3, por në fushë për 80 minuta, të kuqtë ishin ata që bënë diferencën. “Asnjëherë nuk e mbaj mend që të mundem thellësisht 3-0”, theksoi trajneri i Shkëndijës pas ndeshjes.

shkendija partizani

Loja nisi e fortë, me të dyja skuadrat që kërkonin golin që në start. Sinjalin e kësaj fitoreje të paratërinjve të Partizanit e ka dhënë Kasa, i cili goditi shtyllën pingule në minutën e 27- të. Më pas, në të 33-ën kemi një skemë mjaft të bukur të zbatuar me përpikëri nga futbollistët e Partizanit. Gjatë goditjes së dënimit nga rreth 22 metra, është Reçi që kroson dhe Karakashi pas goditjes me kokë e dërgon “sferën” në rrjetë. Por, skuadra e kuqe do të dyfishonte me anë të Kris Kasës pas pasimit të Hodës. Kësisoj, 40 minutat e para u mbyllën me fitoren 0-2 të “demave”.

Ndërkohë, në fraksionin e dytë është përsëri Nikolla Karakashi që trefishon. Në minutën e 54-t, ai godet brenda zonës dhe mposht portierin. Skuadra e Shkëndijës nuk kishte mundësi që të përballonte këtë lojë të bukur të Partizanit. Vlen për t’u theksuar se në këtë ndeshje në rolin e asistenit ishte një femër, pikërisht Xhoana Malko, e cila ka treguar nivel të kënaqshëm në këtë debutim në kampionatin e moshave. Javën e ardhshme Shkëndija pret Porton, ndërsa Partizani luan me Akademinë.

Abdulla Dushku

MIgen Memelli debuton te Tirana me fitore në Kukës

kukesi tirana

Tirana fiton ndeshjen e parë në Kukës falë një goli të Gjumsit në pjesën e dytë. Debutimi i trajnerit Migen Memelli në krye të stolit të U-17 ka nisur me tri pikë në një fushë të vështirë. Loja ka qenë e ekuilibruar, edhe pse bardheblutë ishin më kërkues. Edhe Kukësi rrezikoi në disa momente, por ishin miqtë që gjetën golin.

Skerdilaid Sulozeqi

Kapllani nderon Teutën në derbi

teuta shkendija

Derbi i Durrësit mbyllet me fitoren e Teutës në shifrat 2-1. Kapllani ka qenë heroi i takimit, me një dopietë për durrsakët e drejtuar nga Ilir Bitruku. Sfida filloi me gol për Shkëndijën, teksa Çela befasoi Teutën. Por, pas një pjese të parë zhgënjyese, durrsakët përmbysën gjithçka në të dytën, teksa Kapllani realizoi në minutat 45 dhe 66.

Jeton Rexhmati

Fillim i shkëlqyer për Skënderbeun, nis sezonin me goleadë

Start fantastik i Skënderbeut për paratërinj. Të besuarit e Ligoraq Tikos kanë arritur të fitojnë me shifrat e thella 5-0 ndaj Pogradecit. Në ndeshjen e luajtur dje në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”, korçarët kanë dominuar totalisht. Franko Kapllani ka qenë lojtari i ndeshjes, duke shënuar dy gola.

Ai hapi serinë e golave në minutën e 16-të, ndërsa ishte po i njëjti autor që vulosi triumfin afër fundit. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 2-0, teksa Peçani dyfishoi shifrat për korçarët. Tre golat e tjerë u shënuan në pjesën e dytë, ndërkohë që Pogradeci bëri shumë pak në këtë takim. Pas një gjuajtje brenda zonës, është Baka që çon rezultatin në 3-0.

sknderbeu pogradeci

Më pas Qeleshi katërfishon shifrat, duke e kthyer ndeshjen si stërvitore. Megjithatë, ka vend edhe për një gol tjetër, teksa Kapllani, tre minuta nga fundi, i çon shifrat në 5-0. Mbyllet gjithçka me një fitore bindëse të Skënderbeut, që e nis javën e parë në krye të renditjes. Ndeshja e radhës e korçarëve është në transfertë ndaj Shkëndijës së Durrësit.

Llazi Saro

Vlonjatët festojnë me 4 gola transfertën në Gjirokastër

luftetari flamurtari

Flamurtari shkatërron Luftëtarin në ndeshjen debutuese të gjirokastritëve në Kategorinë Superiore U-17. Vlonjatët kanë mbyllur gjithçka që në pjesën e parë, duke shënuar tre gola me anë të D.Aliajt, Muratajt dhe Rrapajt. Bluzinjtë e Neritan Novit ishin të pafuqishëm për të reaguar, duke pësuar sërish gol në pjesën e dytë.

Tomor Shehu

Laçi përmbys Akademinë

laci akademia

Laçi ka fituar me përmbysje në ndeshjen kundër Akademisë së Futbollit. Skuadra kurbinase ka vuajtur jo pak, teksa Ndrejaj kaloi në avantazh miqtë që në minutën e 17-të. Kthesa e bardhezinjve të vegjël ka ardhur në pjesën e dytë, teksa Bruka u bë hero me dopietë. Fillimisht barazoi shifrat në minutën e 47-të dhe, më pas, ktheu në gol një penallti.

Abdulla Dushku

Në Kavajë luhet vetëm për “X”

besa dinamo

Besa dhe Dinamo kanë ndarë nga një pikë, në një ndeshje ku kavajasit kanë goditur plot katër herë shtyllat. Besa zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, duke kërkuar fitoren që në fillim. Meçe shënoi në minutën e 32-të, por pa u mbyllur pjesë e parë, miqtë befasojnë në një kundërsulm, duke barazuar. Në pjesën e dytë ka raste, por s’ka gola.

Feriz Ferizaj

Porto dhe AAS, 80 minuta nuk sjellin asnjë gol

porto aas

Takimi mes paratërinjve të Portos dhe Akademisë AAS nuk ka prodhuar fitues, teksa gjithçka është mbyllur në një barazim pa gola. Loja nisi mjaft e fortë, ku vendasit e kanë kërkuar të parët golin me anë të Metës, i cili gaboi fare pranë portës shkodrane. Edhe miqtë krijuan disa raste, por i gjithë 80-minutëshi u mbyll me rrjeta të paprekura.

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"