“Kampionati shqiptar ka lojtarë cilësorë”, flet Cungu: Prezenca e trajnerit Reja e rëndësishme, shpresoj që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2021 | 15:22

“Kampionati shqiptar ka lojtarë cilësorë”, flet Cungu: Prezenca e trajnerit Reja e rëndësishme, shpresoj që të…

Seleksionimet e ekipeve Kombëtare të moshave për lojtarët të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar ka vazhduar edhe ditën e sotme. Futbollistët të cilët ishin përzgjedhur ishin të ditëlindjes ‘2004 ku janë gjendur nën urdhrat e trajnerit të ekipit Kombëtar U-19, Armando Cungu në Kompleksin Internacional në Pezë-Helmes. Gjithashtu të pranishëm në këtë seleksionim ishin trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku dhe tekniku i Kombëtares U-18 Ardi Behari. Së bashku me katër trajnerët kanë qenë prezent edhe drejtori teknik i FSHF-së, Xhankarlo Kamoleze, zv.trajneri i Kombëtares Serxho Porrini dhe anëtarë të departamentit të ekipeve Kombëtare në FSHF. Trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu ka folur për kanalin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit ku ka vlerësuar nivelin e lojtarëve të rinj që aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar:

CUNGU

Lojtarët e marrë nga kampionati shqiptar – “E kam theksuar dhe herë të tjera që nuk ka si të mungojnë elementët cilësorë edhe në kampionatin shqiptar. Megjithatë kanë ende punë për të bërë. Sot po vëzhgojmë datëlindjet e 2004, grupin B, ose të ashtuquajturit grupi i jugut, sikurse para dy javësh kemi seleksionuar grupin e veriut, apo grupin A, gjithmonë për datëlindjet 2004. Në këtë aspekt, mundohemi të shikojmë elementët e duhur për të krijuar një ide të qartë për sa i përket kësaj datëlindje në kampionatin shqiptar”

U 19

Prezenca e trajnerit Edi Reja – “Është shumë e rëndësishme prezenca e trajnerit Reja, për t’i dhënë dhe seriozitetin dhe rëndësinë e duhur strukturës së Kombëtares shqiptare U-19. Prezenca e tij është e rëndësishme për të na dhënë të kuptojmë që vijueshmëria do të jetë e garantuar për sa i përket interesit për këta djem. Prandaj, prania e tij është kuptimplotë, jo vetëm për ne si trajnerë, por edhe për sportistët”

Kombetarja-U19-seleksionim-22-prill-2021-1-1024x683

Vëzhgimi i lojtarëve – “Patjetër që do të vazhdojmë javë pas jave. Ju e shikoni që jemi prezentë me seleksionimet, por gjithmonë duke ju referuar kampionatit shqiptar, sepse siç e kam theksuar dhe herë të tjera, për shkak të pandemisë jemi penalizuar në mundësinë e afrimit të lojtarëve shqiptarë që luajnë jashtë Shqipërisë. Shpresoj që të kemi mundësi sa më shpejt për të shikuar edhe këta elementë, në mënyrë të tillë që të krijojmë një Kombëtare sa më dinjitoze, e cila nesër do t’i shërbejë edhe Kombëtares së madhe”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"