“Kampionati me Kosovën, një shashkë nga FSHB”, presidenti i Teutës shpërthen sërish ndaj federatës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2020 | 22:46

“Kampionati me Kosovën, një shashkë nga FSHB”, presidenti i Teutës shpërthen sërish ndaj federatës

Basketbolli shqiptar ashtu sikurse të gjitha sportet në vend, për më shumë se një muaj qëndron i pezulluar për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi “COVID-19”. Por ndonëse në një kohë karantine, polemikat dhe akuzat nuk kanë të ndalur. Presidenti i Teutës, Arqile Gorea, në një intervistë për “Panorama Sport” lëshon akuza të ashpra ndaj Federatës Shqiptare të Basketbollit. Ndërsa projektin që FSHB ka për një kampionat të përbashkët me Kosovën, Gorea e quan një shashkë të federatës për të hequr vëmendjen nga problemet e shumta.

arqile gorea

SITUATA KAOTIKE DHE RIFILLIMI I SEZONIT

Presidenti i durrsakëve fillimisht komenton situatën kaotike që ka shkaktuar Koronavirusi dhe mundësinë për të rifilliuar kampionatin: “Bëhet fjalë për një situatë jo vetëm shqiptare por mbarëbotërore, por kryesisht ne duhet të fokusohemi në aktivitetet tona. Jemi në një gjendje shumë problematike, e cila nuk ka të bëjë vetëm me përhapjen e virusit, por karantinimi i njerëzve ndikon edhe në aspektin psikologjik. Lojtarët nuk janë të gatshëm për të rifilluar sezonin, e këtë e them jo vetëm nga bisedat që kam pasur me lojtarë të Teutës, por edhe me lojtarë të skuadrave të tjera. Shikoj që ka një stepje dhe kjo është diçka normale, pasi primar është koncepti i mbrojtjes së shëndetit”.

KUNDËRSHTIMI NDAJ PROPOZIMEVE TË FEDERATËS

Gorea nuk është aspak dakord me dy propozimet që FSHB u ka bërë klubeve rreth mundësisë për të rifilluar aktivitetet: “Jemi në një situatë komplekse, për të cilën zotërinjtë të cilët bëjnë propozime dhe hedhin shashka, duhet të kuptojnë se kjo ka të bëjë me shumë komponentë. Çfarë thonë institucionet shqiptare apo marrëdhëniet që duhet të ketë FSHB me Ministrinë e Sporteve, për hapjen e aktiviteve. Me Ministrinë e Shëndetësisë, ku lojtarët duhet t’u nënshtrohen testeve. Basketbolli është një sport ku ka kontakt fizik dhe luhet në ambient të mbyllur”.

LOJTARËT E HUAJ DHE KOSTOT

Më tej, presidenti i Teutës flet edhe për kostot e shtuara finaciare, për rikthimin e lojtarëve të huaj: “Këta lojtarë kanë dy kushte për të ardhur këtu: E para, kur do të hapen kufijtë dhe kur shtetet e tyre do të lejojnë lëvizjen e qytetarëve. Ndërsa e dyta, kur kompanitë ajrore do të nisin fluturimet, duhen marrë parasysh edhe kostot e fluturimeve të cilat do të jenë të dyfishuara. Pra, kemi të bëjmë edhe me një vlerë të shtuar financiare, që për fat të keq nga federata nuk merret parasysh fare. Nuk kemi asnjë informacion për bisedime me qeverinë për ndihmesën e klubeve, për atë çfarë kanë investuar dhe humbjet që do të kenë. Të gjitha këto FSHB duhet t’i marrë seriozisht dhe t’i sqarojë”.

Ishkryebashkiaku i Durrësit thekson faktin që federatës i ka përfunduar mandati dhe se duhet të tregohen më të kujdesshëm në të tilla situata vendimmarrëse:

“Duhet të mos harrojmë që Federata Shqiptare e Basketbollit e ka mbaruar mandatin e saj që në fund të muajit mars dhe përballemi me një lidership të çmandatuar, i cili duke parë gjendjen e jashtëzakonshme mund të vijojë funksionin, por në thelb është pa mandat dhe si i tillë unë do të mendoja që për të justifikuar që këta njerëz kanë 15 vjet që bëjnë gallatë me basketbollin shqiptar, duhet të merreshin me analizat e thjeshta. Të mos krijojnë emocione dhe të mos japin ngarkesa artificiale te njerëzit, të cilët kanë investuar me pasion dhe dashuri për basketbollin, duke treguar se kur do të nisin kampionatet”.

Gorea

KAMPIONATI I PËRBASHKËT ME KOSOVËN

Ditët e fundit është folur shumë edhe për krijimin e një kampionati të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Por Arqile Gorea mendon se kjo gjë po përdoret nga FSHB për të shkëputur vëmendjen nga problemet reale: “Është një karagjozllëk i paparë dhe një shashkë e hedhur nga federata, për të shkëputur vëmendjen nga problemet. Nëse ne duam që të bëhemi bashkë me Kosovën, e para e punës, t’i hedhim një sy statutit të federatës kosovare.

A ka ngjashmëri me tonin? Më tej, Kosova federimin e lojtarëve të huaj e ka 450 euro, ndërsa federata shqiptare e ka 850 euro, bashkë me tarifën e FIBA-s. Pra, këtu kemi një federatë që gjobit, duke futur duart në xhepat e anëtarëve. Unë jam pro aktiviteteve mbarëshqiptare, por më duket një karagjozllëk i tepruar dhe një estradë për të hequr vëmendjen nga problemet kryesore që ka basketbolli ynë, siç janë zgjedhjet, diskutimi i statutit, komisionet, problemet e administrimit të arbitrave, apo problemi i menaxhimit të fondeve”.

AKUZA NDAJ SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM

Nuk është hera e parë që Gorea shigjeton me akuza të forta sekretarin e përgjithshëm të FSHB, Korab Llazanin: “Sekretari i përgjithshëm bën pjesë në torbën e interesave meskine, të cilën ka 15 vite që i përfaqëson. Kemi një federatë të paaftë dhe që të mandatohet duhet të bëhen zgjedhje.

Duhet të shpallen listat, ndërkohë që nuk kemi asnjë lloj informacioni. Kjo është antidemokratike dhe kundër zhvillimit të basketbollit shqiptar. Dënojnë fëmijë 15-vjeçarë me gjoba, ndërsa nuk dënohet asnjë arbitër që trukon ndeshje në bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm, ky i fundit nuk ka asgjë të përbashkët me basketbollin përveç konfliktit të interesit. Kemi një sekretar federate, i cili si papagall transmeton direktivat e drejtuesit dhe dua t’i them vetëm diçka: ‘të gjitha veglat në botë pasi përdoren, hidhen dhe ky do të jetë edhe fati i tij. Ndërsa këshilla ime është që të shikojë letrat, pasi ato letra do ta akuzojnë rëndë”.

MBLEDHJA E KD

Gorea kundërshton hapur edhe mbledhjen e kryesisë së bërë më 15 prill: “Kam qenë në kontakt me të gjitha shoqatat dhe me sugjerimet e tyre, ndërsa sugjerimi kryesor që kam bërë është që të mos ketë më shumë se dy mandate, por nuk është diskutuar fare. Kam bërë sugjerim që sekretari i përgjithshëm të zgjidhet me konkurs, jo me interesa apo preferenca, ndërsa edhe kjo gjë nuk është përmendur fare.

Kam bërë propozime që të deklarohen komisionet, por nuk janë marrë në konsideratë. Ne duhet të kemi një statut demokratik, i cili duhet të institucionalizojë jo vetëm në votë por edhe në afat mandatet e drejtimit. Nuk duhet të ketë më shumë se dy mandate për askënd. E kanë kthyer federatën në një institucion, për të nxjerrë përfitime, të cilat do t’i zbuloj edhe me shifra dhe detaje. Basketbolli ka arritur në pikën më të ulët”.

TEUTA BASKET

KONFIRMIMI I HUMBJES NË TAVOLINË

Në fund, Arqile Gorea akuzon edhe për lënien në fuqi të humbjes në tavolinë në derbin kundër Gogës: “Ky ishte skandali i radhës sepse në rregullore thuhet qartë që përgjegjës për zhvillimin e një ndeshjeje normale është ekipi pritës, ndërsa ky ekip i kishte marrë të gjitha masat që të pengonte zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Ngatërruan pronësinë mbi hekurat me Kampionatin Kombëtar të Basketbollit dhe u bë ajo që të gjithë e dimë, që ekipi i Teutës të mos luante, duke na ndaluar hyrjen. Një situatë diskriminuese dhe e paparë në asnjë vend të botës.

Një Komision Disipline i kryesuar nga Fatjon Mati, i cili ka konflikt të pastër interesi me çështjen, pasi me trajnerin e skuadrës Goga Basket, janë së bashku në një shoqatë basketbolli. Nëse do të kishte moral, duhet që të mos merrte pjesë në atë votim, sepse konflikti i interesit është i pastër. Një vendim që i la të habitur të gjithë. Me këtë rast dua të përshëndes z.Shaka, Znj. Alibegaj dhe z. Mema për kontributin e çmuar që kanë dhënë jo vetëm për Teutën, por për principet dhe të ardhmen e basketbollit shqiptar. Ashtu siç dua të përbuz me neveri Biçokun dhe Jaranin të cilët votuan pro padrejtësisë, në bazë të interesave të tyre”, përfundon Gorea.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"