Kampionati kombëtar i Shqipërisë dhe atdhetaria e humbur ndaj tij. Duan të përjashtojnë Dinamon e Skënderbeun!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2022 | 21:09

Kampionati kombëtar i Shqipërisë dhe atdhetaria e humbur ndaj tij. Duan të përjashtojnë Dinamon e Skënderbeun!

OPINION NGA BESNIK DIZDARI
1. Nëse do të donim të portretizonim sadopak kampionatin kombëtar të futbollit të Republikës së Shqipërisë, ai do të shfaqej pak a shumë kështu:

BESNIK-DIZDARI

Tribuna të boshatisura, mesatarisht as 1000 shikues për ndeshje. Dhe është vërtet interesant! Kamerat e transmetimit të ndeshjeve thuajse kurrnjiherë nuk kthehen nga të ashtuquajturat “tribuna qendrore”, të cilat, dihet, kanë një pamje më të lartë arkitekturore dhe publik më të shumtë. Por gjithnjë japin tribunat karshi në të shumtën krejt të boshatisura. Duket se kjo ngjet ngaqë nuk funksionojnë idetë sociale (shoqërore) të regjisorëve të transmetimeve televizive. Por edhe sepse pronarët e televizioneve që transmetojnë, ndoshta u kanë dhënë atyre një liri të tejskajshme, madje të pamerituar. Pra, që ata të bëjnë si të duan. E, po të vijë dikush në Shqipëri e të shohë tribunat e boshatisura karshi, zhgënjimi është shkatërrues deri edhe për vetë politikën e mospërhapjes së sportit në Shqipëri. Si të ishim në ndeshje të spartakiadave të kooperativave bujqësore! Vetëm një herë ditët e fundit ndodhi që kamera mbeti më shumë te “tribuna qendrore”. Ndodhi me këtë tribunë të stadiumit të ri të Kukësit. Me sa duket, nga dëshira servile regjisoriale a pronarore për të nxjerrë pa pushim portretin e njeriut të ngarkuar me detyrën e kryeministrit dhe të një bashkëpranie jo pak familjare të tij, që nuk di a duhej të ishte e tillë në tribunën e ashtuquajtur VIP. Kësisoj, edhe për faktin se Shqipëria nuk është as mbretëri dhe as princëri.

Vazhdojmë më tej:

Ky është kampionati ku skuadra kryesuese ka plot 20 pikë më shumë nga skuadra e vendit të tretë dhe 45 pikë më tepër nga skuadra e 10-të, që është vendi i fundit. Ky është kampionati i Shqipërisë në të cilin çdo skuadër ka rreth 10 lojtarë të huaj, krejt mesatarë, aspak më të mirë sesa dhjetëra e dhjetëra djem të rinj të Shqipërisë. Ky është kampionati, në të vërtetë “kundër” (anti) – kampionati i Shqipërisë, në të cilin në dhjetë vitet e fundit për Kombëtaren ka dalë vetëm 1 lojtar i talentuar: Uzuni.

Kampionati i Shqipërisë besoj se është i tillë saqë nuk ndiqet fort edhe në TV, përderisa kur ulesh në bare a kafene, dëgjon të rinj që diskutojnë me zë të lartë e “grinden” vetëm për Realin e Spanjës, Manchesterin e Anglisë, Milanin e Italisë, Bayernin e Gjermanisë apo Paris SG të Francës. E pse jo? Nja katër a pesë ditë më parë, pashë që lajmet kryesore të ditës një televizion i ashtuquajtur kombëtar, pra jo ndërkombëtar e aq më pak francez, i mbylli duke dhënë me hollësi, me figurë e koment ndeshjen e kampionatit të Francës Strasburg – Paris SG 3-3, çka kuptohet, që me këtë ndeshje nuk ka aspak punë Shqipëria, pa harruar se ajo nuk ishte as finale e Kupës së Europës e as e Kampionatit Europian. Duke vepruar kështu, natyrisht me plot pasion, ky TV shpëlan trurin e rinisë shqiptare dhe e largon gjithnjë e më fort atë prej kampionatit të saj shqiptar. Pra, bën një punë të dëmshme. Le mandej kur arrihet deri aty, saqë vë në titujt hyrës të emisionit të shkruar me germa të mëdha titullin “jetik” për Shqipërinë: “Donaruma me COVID!” Ose kjo tjetra ku po një televizion (24 orë mbas mbarimit të saj madje) transmeton komente e deklarata për Superkupën e Italisë!

Kampionati i Shqipërisë, megjithatë, ka një meritë. “Meritën” që na thotë se në një mbrëmje të vetme, që po e quaj televizive, ka Kampionati kombëtar i Shqipërisë dhe atdhetaria e humbur ndaj tij Shkrimi i mospajtimit me denatyrimin dhe rënien e madhe nja pesë emisione në televizione të ndryshme ku në secilin prej tyre diskutojnë më e pakta nja katër “analistë”, 90 për qind e të cilëve nuk janë gazetarë, por ish-trajnerë, ish-futbollistë, po edhe drejtorë klubesh, delegatë a vëzhgues ndeshjesh e deri dhe menaxherë lojtarësh. Pa harruar madje se në ndonjë emision mund të shohësh “analistë” të përhershëm pra, me konflikte interesi të paparë. Deri dhe me vëzhgues apo delegatë ndeshjesh që bëjnë moviolistin! Çka, nuk ngjet në asnjë vend të Europës. Pa shkuar mandej te rasti shembullor (emblematik) ku drejtori i sporteve të televizionit publik shndërrohet në “analist” të rregullt në një televizion jopublik, ndonëse paguhet me paratë e publikut shqiptar për t’i shërbyer me profesionalizëm e përkujdesje vetëm televizionit publik.

Duke kaluar mandej në imtësitë e profesionit tonë, interesante është ndërkaq kjo tjetra: që transmetimet kanë gjithnjë e më shpesh një stil gjuhësor aspak shqiptar. Madje, deri në barbarizmat e pandalshme të tipit “supergol, sfidë e supersfidë, supergjuajtje, superlojë, superlojtar, superkalim”. Një lloj gazetarie që assesi nuk tingëllon në shqipe, që është një imitim banal i telekronistëve të huaj, përveçse italianë, edhe atyre anglezë, ku mbërrihet deri në shqiptimin e emrave të lojtarëve shqiptarë në lartësinë e oktavave të atyre anglezë, të cilët assesi nuk të tingëllojnë shqip. Dhe imitimi – nuk meriton t’i thuash as ndikimi – mbërrin deri te “guximi” që krahason madje rënien e Skënderbeut të Korçës së Shqipërisë duke na thënë: “Nuk ka gjë, edhe Juventusi e Hamburgeri ka rënë”. Një italianizim apo gjermanizim, tashmë gati i neveritshëm. Si guxon gazetaria të na krahasojë me kampionatet e këtyre shteteve me të cilat jemi vite drite larg? Duke harruar ndërkaq, se sa profesioniste janë kampionatet e ligave të dyta e të treta madje, të këtyre vendeve, ku rënia mund të mos jetë kaq e rëndë si në Kategorinë e Dytë shqiptare, të cilën e dini se si është…

Ma do mendja se kjo “foto” a “pikturë” këtu, e shpejtë e kampionatit të Republikës së Shqipërisë spikat edhe më fort kur kujton se për të në të gjitha emisionet për çudi ka edhe shumë gaz e hare, shumë të qeshura e replika të tipit të mjediseve të kafeneve. Tjetër dukuri kjo madje, që do ta quaja disi edhe snobe, mospërfillëse, kur për kampionatet e shteteve të tjera ndodh që për një ndeshje krejt të zakonshme, bie fjala, të kampionatit të Italisë, ka nja tre vetë në studio dhe në mënyrën më të bujshme – për një ndeshje të vetme jo shqiptare, pra – diskutojnë gati një orë me një “seriozitet” të rrallë. Madje, me një “kompetencë” për t’u vajtuar që mbërrin deri në këshilla për t’i dëgjuar atje tej, te bregu tjetër i Adriatikut.

dinamo skenderbeu

Bukur vërtet! O burra, sa më larg kampionatit të Shqipërisë, që me sa dimë është i Atdheut tënd. E ne që durojmë e i nënshtrohemi kësaj ksenomanie “par excellence”!…

Dhe askush nuk flet. Askush nuk bëzan. Thuajse të gjithë janë dorëzuar në këtë kundërshqiptari, çka mjedisi, mendësia, filozofia futbollistike shqiptare nuk e mban në mend në të gjitha kohërat.

Dhe? As 1000 spektatorë për ndeshje!

Edhe për të gjitha këto kampionati kombëtar i Republikës së Shqipërisë mund të ketë dalë nga binarët, çka do të thotë se kampionati i Shqipërisë, të cilit nuk i përmendet më as emri apo titulli, por quhet “Abissnet Superiore”, gjithnjë e më fort po del jashtë vëmendjes së shqiptarëve, ndonëse është kampionati i tyre.

Të gjitha këto sa shkruam, në të vërtetë, nuk përmbajmë diçka të re. I kemi përsëritur deri në mërzitje. Por për mërzinë e vazhdueshme që shkaktojnë, na duhet të mos ndalim, duke u bërë kështu pjesë e mërzitshme e kësaj mërzie. Rroftë kakofonia!

Megjithatë, nuk mund të thuhet se këto të mësipërmet janë e keqja më e madhe e kampionatit të Shqipërisë, ndërsa prapë detyrohesh të përsëritësh, por tash një përsëritje disi e freskuar me diçka tjetër…

2. E keqja më e madhe është se, përveç të tjerave të njohura, po duan të përjashtojnë edhe dy nga klubet e tjera po aq të famshme të Shqipërisë, Dinamon 18 herë dhe Skënderbeun 8 herë kampionë. Duan t’i flakin tej thjesht për faktin se rresht për 8 vjet të tanë, e zhvillojnë kampionatin me vetëm 10 skuadra. E, për fat, në bashkëfajësi me FSHF-në, dashur apo padashur, bëjnë pjesë edhe jo pak gazetarë, të cilët kanë guxuar deri aty sa ndonjë prej këtyre kampionateve me vetëm 10 skuadra ta quajnë si “më të bukurin e 30 vjetëve të fundit”. Ashtu siç kanë guxuar që Dinamon e sapokthyer në kampionat, mbas bukur 9 vjetëve mungesë, ta quajnë rrufeshëm pretendente për titullin! E tash ajo është e 9-ta! Dhe në të dyja këto raste apo përcaktime, vetvetiu na jepet e drejta të mendojmë se mund të kemi edhe gazetarë që i shërbejnë një klani.

Nuk duhej të ishte fundi i botës, të jesh midis 9 skuadrave më të mira të vendit tënd, apo jo? Mirëpo ja që, edhe pse mund të jesh midis 9 skuadrave më të mira të Shqipërisë, për çudi hapësinore, kjo do të thotë që do të përjashtohesh nga kampionati kombëtar i Republikës së Shqipërisë. Madje, absurditeti i rregullit absurd thotë që kështu mund të ndodhka edhe po të jesh i 8-ti!

Dhe kujtojmë:

Sportklub Tirana ra në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) thjesht sepse u rendit e 9-ta e Shqipërisë!

Vllaznia e Shkodrës ra në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) thjesht sepse u rendit e 9-ta e Shqipërisë!

Flamurtari i Vlorës ra në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) thjesht sepse u rendit i 9-ti i Shqipërisë!

Besa e Kavajës ra në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) thjesht sepse u rendit e 9-ta e Shqipërisë!

Çfarë “poezie” ritmike kjo! Më saktë, një elegji e rënies së pamëshirshme për shkak të kundëratdhetarisë. Besoj se e dini që edhe një kampionat futbolli është pjesë e atdhetarisë të një kombi për së mbari.

Kampionati i Shqipërisë ka humbur nordin e realitetit, të kombëtarësisë, të kuptimit të vërtetë të themeleve të tij, të subjektit e objektit të tij, të gjeografisë po të vërtetë të tij.

Kështu pra, vitet e fundit kanë zbritur në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) Partizani, Dinamo, KS Elbasani, Apolonia e Fierit, Vllaznia e Shkodrës, SK Tirana, Flamurtari i Vlorës, KS Lushnja, Luftëtari i Gjirokastrës, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit! Pa shkuar më tej. Kjo do të thotë qartë se përveç shkakut të dobësive të tyre sportive, ata kanë rënë më shumë për shkak të numrit të paktë të skuadrave. Janë 10, vetëm 10!

E tash duan të përjashtojnë edhe Dinamon 18 herë e Skënderbeun 8 herë kampion. Do të vijnë Bylis i Ballshit dhe Erzeni i Shijakut të cilëve sigurisht askush nuk mund t’ua mohojë meritat. Ndërsa falë kryefortësisë dhe prepotencës së organizatorëve, pa harruar mungesën e tyre të atdhetarisë, jashtë Kampionatit të Shtetit Shqiptar – edhe ky një përcaktim me germa kapitale – do të jenë pra skuadrat qytetare të Korçës dhe Dinamo e Tiranës, ato të Elbasanit, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Lushnjës, Kavajës. Madje, skuadrat e Gjirokastrës dhe Elbasanit do të jenë në Kategorinë e Tretë (se e Tretë është).

Ndërkohë, për çudi, po vërej një gëzim të madh që Flamurtari i Vlorës po u ngjitka në Kategorinë “e Parë”. Harrojnë se në të vërtetë kjo është Kategori e Dytë. Hutohen keqas vlonjatët. Nuk kanë faj, megjithëse kritikat kanë qenë të forta ndaj FSHF-së, e cila ka “vjedhur” emërtimin e kampionatit të Shqipërisë që për gati 70 vjet quhej i Kategorisë së Parë dhe ia ka kaluar të Dytës. Ndoshta për të “mashtruar” skuadrat. Pra, “mos u mërzitni, jeni Kategori e Parë!” Kur në të vërtetë ato janë pastërtisht Kategori e Dytë.

Kësisoj, duke u bërë FSHF-ja shtrembëruese “e mrekullueshme” e historisë, “padashur” e mbështetur edhe te pjesa e nënshtruar e gazetarisë. Unë për vete jo. Nuk guxon të dalë asnjë burrë që të më thotë: “Shko e ndreqi pesë librat tuaj ‘Historia e Kampionateve të Shqipërisë’ dhe shuaji emërtimin ‘Kategori e Parë’ dhe kalojua kampionateve të ‘Kategorisë së Dytë’”. E shihni se deri ku ka mbërritur personalizimi prepotent i këtij pseudorganizimi! Deri dhe në ndërhyrjen brutale te historia dhe historianët. Ndaj, përsëris pa asnjë kompleks vetëkënaqësie: “Unë për vete, jo!”

I kthehemi argumentit kryesor.

Kështu pra. Nëse do të lejohen dy rëniet e fundit, këto të 2021-‘22, dhe mbetja përsëri te kampionati me 10 skuadra, do të kemi të pranishma 6 qytete të vogla: Kukës, Laç, Krujë, Rrogozhinë, Shijak, Ballsh. Kjo do të thotë se 60 për qind e skuadrave të një prej kampionateve më të hershme të Europës (1930) që është ky i Shqipërisë, në vitin 2022 të shekullit XXI, do të përfaqësojnë vetëm rreth nja 200.000 banorë të shtetit të sotëm që njihet si i Shqipërisë.

Ky është rekordi më negativ, më kundërshqiptar në historinë e kampionatit të Shqipërisë.

Një kampionat shkarës, që ka flakur tej qendrat kryesore të futbollit qytetar të Shqipërisë.  Një kampionat i cili nga 10 skuadrat e tij do të ketë plot 9 skuadra, pra 90 për qind që vijnë kryesisht nga meridiani a paraleli i Shqipërisë pothuaj e Mesme. Për fat, në Veri janë dy (Shkodra e Kukësi). Ndërsa Jugu i mirëfilltë, ai që sa shumë i ka dhënë futbollit kombëtar, thuajse zero! Kështu, sepse në njëfarë mënyre Ballshin duhet ta quajmë të Shqipërisë Qendrore. Deri në këtë njëanshmëri krejt të papranueshme kemi mbërritur.

Jam i vetmi gazetar që gjatë gjithë kësaj periudhe 8-vjeçare të vetëm 10 skuadrave kam botuar mbi 20 shkrime për rindërtimin e kampionatit edhe përmes shtimit të skuadrave. Me përjashtim të kësaj gazete, askush nuk e ka përkrahur problematikën e këtyre shkrimeve.

A vërtet këto trajtesa kanë një gabim, kur dihet se kampionatet më të bukura të Shqipërisë kanë qenë 55 kampionate ku kemi pasur mbi 12 skuadra? Më saktë organizimi ka qenë ky:
20 kampionate me 12 skuadra.
27 kampionate me 14 skuadra.
5 kampionate me 16 skuadra.
2 kampionate me 18 skuadra.
1 kampionat me 20 skuadra.

Ndërkaq, duke i kërkuar ndihmë kujtesës “aritmetike”, del se sundimi i kampionateve me 14 skuadra pa dyshim ka qenë zhvillimi më i vërtetë dhe më për së mbari, më i shëndetshmi. Madje, edhe nëse do të përsiatnim po me saktësi prodhimin, si të thuash teknik, të këtyre kampionateve, do të vërejmë sa ato kanë qenë themeli i lindjes dhe formimit të futbollistëve më të shquar të Shqipërisë. Po të shkojmë më tej, do të shohim se prej këtyre kampionateve kanë dalë ekipet kombëtare më me arritje e ndeshje të pashlyeshme në Europë. Historinë e gjithë këtij zhvillimi e kemi stërtreguar në libra e shkrime të pafund.

Shtrohet pyetja: Si ka mundësi që mendimi i gazetarëve me përvojën më të hershme (më të vjetër) të mos ketë dobi? Madje, në krejt problematikën e futbollit e sportit shqiptar? Kaq të paditur qenkan? Po kush janë pra të diturit?…

3. Nuk mendoj se jam i gabuar ku them se e gjitha kjo ndodh edhe ngaqë prej vitesh në rrethnajën e FSHF-së mbizotëron një nënshtrim, madje me pika servilizmi, që asnjëherë deri më sot Shqipëria nuk e ka pasur. Dhe dihet, që edhe ne gazetarët e regjimit, ndonëse nuk kemi qenë anëtarë të partisë, ishim tejet të bindur ndaj politikës së saj, por assesi deri në këtë shkallë që për çudi të mahnitshme është sot në demokraci. Shkoni te shtypi i asokohe dhe do të mësoni jo pak për kritikën e fortë dhe të drejtë. Gazetarët e asaj kohe mos kujtoni se nuk janë kërcënuar, madje deri prej tipave sigurimsa e njerëzve fanatikë të skuadrave më afër pushtetit, nga kërcënimet deri rrugëve të Tiranës, të shkallëve të stadiumeve e deri te letrat kërcënuese anonime, ndonjëherë edhe të firmosura. Megjithatë, për fat, nuk na ka gjetur gjë. Kjo, vetëm për faktin se kritikat tona të ashpra kanë qenë të drejta dhe në të mirë të përparimit të sporteve, e, pse jo, edhe të vetë gazetarisë. Pa harruar se edhe ngaqë jemi mbrojtur prej njerëzve të caktuar të atij pushteti, të cilët na e pranonin aftësinë, talentin, pse jo, edhe guximin tonë profesional. Qoftë edhe brenda caqeve të një diktature të egër.

E tash?

Dhe në përgjigje të kësaj pyetjeje po shkoj te një shembull konkret. Rreth nja dy apo tre vjet më parë, mbi 30 kryesi klubesh, drejtues apo trajnerë kërkuan përmes një lloj plebishiti botuar në këtë gazetë, shtimin e skuadrave. Dhe a e dini se çka ka ndodhur? Ka ndodhur ajo që deri më sot nga FSHF as nuk është denjuar të paktën të jepet një përgjigje. Kjo nuk është neglizhencë. Kjo është sa arrogancë dhe përvetësim i skajshëm personalizues i drejtimit të këtyre punëve.

Fatkeqësia tjetër është se nuk dimë ndonjë gazetar tjetër apo gazetari tjetër, përveç të kësaj gazete këtu, që ta kenë mbështetur pra këtë kërkesë të kësaj 30-sheje specialistësh e drejtuesish!…

U “formua” krejt artificialisht Liga Kombëtare e Futbollit. Me bujë dhe pa asnjë bujë, tashmë sot ajo nuk ekziston. Kam trajtuar në të paktën nja 10 shkrime për këtë Ligë. Asnjë gazetar tjetër jashtë kësaj gazete ka blatuar bashkëmbështetje. “Bukur” vërtet! Duket qartë që Federata Shqiptare e Futbollit është e rrethuar prej një kordoni fort të bindurish a të servilosurish edhe në pjesë të veçanta të kampit të gazetarisë. Këtu kemi mbërritur.

Mirëpo, papritmas ja ku më në fund shfaqet edhe “lajmi” i freskët. Në numrin e saj të së shtunës, “Panorama Sport” botoi shkrimin e Kristi Sejatllarit me titull “FSHF teston skemë të re, klubet janë në ‘ajër’”. “Është një shkrim edhe me një sens kritik, ku flitet për një ‘komision të posaçëm për reformimin e rregulloreve të FSHF’, ku krejt papritmas njoftohet për ‘ide të argumentuara për ndryshime të rëndësishme, një ndër të cilat mund të jetë edhe numri i skuadrave të Kategorisë Superiore’. Por ja që ‘klubet paskan zero interes’”, siç shkruhet.

Ky është kapaku i floririt që mbyll kasafortën e ruajtjes të “lulëzimit artificial” të nënshtrimit dhe që konservon fajësinë organizative të FSHF-së që do të duhen vite ta shlyejë. Kaq të rënda e të zgjatura do të jenë pasojat. Sepse, bie fjala, “gëzimi vlonjat” për kthimin në një kategori më lart, për t’u shndërruar në gëzimin e rikthimit në kampionatin kombëtar të Shqipërisë, do të vonojë edhe më. E, merre me mend se çfarë vonese do të ketë rikthimi i Gjirokastrës dhe Elbasanit të stadiumit të tij modern, kur kujton se ata janë ende në Kategorinë e Tretë (se e Tretë është).

Këto janë sëmundjet që vijnë prore falë rrënjosjes së precedentit të gabuar të fajësisë, që do të thotë se edhe drejtuesit apo trajnerët e skuadrave u mësuan tashmë me 10 skuadra, madje edhe me zbritjen në Kategorinë e Dytë deri në 3 nga 10 që janë, pra 30 për qind – një rekord botëror ky për një kampionat kombëtar të një shteti.

Po me çka nuk janë mësuar gjithë këto vite, trajnerë, presidentë apo pronarë të skuadrave (nëse vërtet janë të tillë)! Ata janë mësuar të lejojnë që fatet e tyre t’i sundojnë mbi rreth 40-50 shërbestarë të FSHF nga kryeqyteti Tiranë çdo javë: me arbitra e delegatë, me vëzhgues e varistë. Ata janë mësuar madje që të drejtohen deri prej një Komiteti Ekzekutiv po “kryeqytetas”, ku sa vështirë që është të gjesh anëtarë edhe nga rrethet a qytetet e skuadrave më të famshme shqiptare, por gjithnjë vetëm nga anëtarë këtu pranë, kryeqytetas “doc”, siç thuhet.

E shihni, për shembull, se çdo javë radhazi dëmtohet me 11-metërsha të padhënë e gola të dyshimtë një skuadër e vetme – Vllaznia e Shkodrës. Rekord tejet origjinal edhe ky. E, për ironi të fatit, deri dhe moviolistë kryeqytetas me interpretimet e tyre ia “firmosin” si të drejta dënimet e padrejta. Faji nuk është i tyre. Është i televizioneve përkatëse.

Kështu, skllavë të precedentit të fajësisë, u mësuan tashmë trajnerë, presidentë apo pronarë të skuadrave. Ata e kanë kuptuar bukur e mirë që dikush do vetëm 10 skuadra, ndoshta edhe ngaqë kështu “klani” në fjalë i mbarështron më me lehtësi. Ata janë mësuar tashmë që të jenë pjesë e një kampionati pa Vlorë e Kavajë, pa Berat e Gjirokastër, pa Elbasan, Fier e Lushnjë. E tash edhe pa Korçë. Ata janë mësuar tashmë që ta drejtojnë skuadrën e qytetit të tyre duke pasur edhe vetëm 1 futbollist nga qyteti i tyre. Ata u mësuan tashmë që 5 ndeshje të një jave të copëzohen në deri tri ditë, duke krijuar mundësi të mrekullueshme për paracaktime të rezultateve të skuadrave që mësojnë para kohe humbjen a fitoren e rivalit. Ata u mësuan që të luajnë madje një kampionat, si ky i sotmi, ku deri tash në javën 31, jo pak, por plot 67 ndeshje prej të 155-ave, që do të thotë gati 50 për qind e tyre, u luajtën në fusha asnjanëse. Kjo shifër mjafton që këtij kampionati t’i vihet juridikisht në dyshim njohja. Duhet të hyjë në “guinnessrecords” të FIFA-s.

LIGA PROFESIONISTE

Të tilla janë pasojat e precedentit të servilizmit dhe nënshtrimit. Ndoshta edhe të sundimit të një klani. Ose të “të bërit karrierë me artin e kurtizanit të partisë”, siç thotë i famshmi Sergio Romano. E ne do të shtonim edhe në “artin e kurtizanit” të KOKSH apo të ministrisë përkatëse prej të cilëve për këtë zbehje të atdhetarisë ndaj kampionatit më popullor të shqiptarëve, që është kampionati kombëtar i futbollit, nuk ka ardhur as edhe një ide, se për kritikë, këtë nuk e presim.

E tash për mbyllje të këtij shkrimi po vendosim “kapakun tonë të floririt” që i praruar na tingëllon në këtë retorikë: Vërtet do të “përjashtohen” nga kampionati i parë i Shqipërisë edhe Skënderbeu e Dinamo?

Jo, jo, jo! Njëqind herë jo! Besoj se diku, prej forcave përparimtare të futbollit shqiptar – aq sa ato kanë mbetur ende, qoftë dhe në skuta – më në fund do të guxojnë të dalin disa burra që nuk do ta lejojnë këtë “përjashtim”. Pse jo, do të detyrojnë që jo vetëm Dinamo e Skënderbeu të mos zbresin, por që të vijnë edhe katër e gjashtë skuadra të tjera, që të bëhen 14 a 16 madje, “mbi 10” pra, ashtu siç ka qenë në plot 55 kampionate në historinë e Shqipërisë.

Mbi të gjitha, besoj se do të kenë mbetur diku burra të futbollit të cilët do të themelojnë qysh këto javë Ligën Kombëtare të Futbollit në mënyrë që, ashtu si shtetet e Europës, të shkëputen prej FSHF-së për të parë interesat e skuadrave të qyteteve të tyre dhe jo të disa zyrave, sado moderne që mund të duken ato nga jashtë. Apo të “klanit” në fjalë. Kësisoj, FSHF-së do t’i dalë mjaft kohë të ruajë politikat e mira të zhvillimit të futbollit dhe të mbarështrojë më me përparësi e ndjenjë atdhetarie ekipet kombëtare të Shqipërisë. Kështu, ajo do t’u ngjajë plotësisht federatave simotra në Europë e botë.

Koha nuk pret më. Ashtu siç më në fund vetë FSHF bëri një gjest me vlerë, duke flakur tej naivitetin që na thënka se “u dashka pritur viti i ardhshëm për ndryshim”. Nuk priti, por më në fund, me mend në krye e shkeli pseudorregullin e saj dhe brenda disa javësh organizoi kampionatin e Kategorisë së Dytë (se e Dytë është) me 16 skuadra. Ky është shembulli që ia vlen të ndiqet edhe për kampionatin e parë kombëtar të Shqipërisë. Madje, urgjent, qysh këto javë, pa mbaruar ky kampionat 2021-2022.

Merret me mend, ndërkaq, se e gjitha kjo nuk është thjesht punë futbolli. Është punë atdhetarie. Atdhetari që heq embargon shkatërruese të mospjesëmarrjes në kampionatin e parë kombëtar të shtetit të qyteteve e qendrave më të mëdha të futbollit, sportit më popullor edhe në Shqipëri.

Si mund të bëhet? Shumë thjesht. Këtë do të përpiqemi ta tregojmë, natyrisht sipas mendimit tonë, në shkrime të ardhshme. Ndonëse, edhe kjo FSHF e di fort mirë se si mund të bëhet. Dhe bëhet duke filluar me flakjen tej të çdo “play out”-i e “play off”-i, të cilët vitin që shkoi u dhuruan shqiptarëve një mbyllje gati qesharake të stinës së futbollit.

Është mëkat të harroni!…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"