Kampionati i FSHF-së, Prestige “siguron” me 15 gola edhe Sigalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2021 | 11:54

Kampionati i FSHF-së, Prestige “siguron” me 15 gola edhe Sigalin

Edicioni i parë i Kampionatit Kombëtar të minifutbollit që po organizon FSHF-ja vijon me ndeshjet në qytetet e Shqipërisë. Në këtë kompeticion siç dihet merr pjesë edhe skuadra Prestige MFC, e cila po dominon në të gjitha ndeshjet e zhvilluara në Zonën 3 të kryeqytetit. Në javën e shtatë, Prestige regjistroi një tjetër fitore dyshifrore, teksa mposhti me rezultatin 15-5 ekipin Sigal, sfidë e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kompleksin “Football Republic”. Një takim pa shumë histori, teksa Prestige vijon të tregojë diferenca të jashtëzakonshme me kundërshtarët. Njeriu i ndeshjes ishte Dajti me 6 gola, ndërsa 4 herë shënoi edhe Shima. Hysenbelliu dhe Antoni regjistruan nga një dopietë secili, ndërsa rrugën e rrjetës e gjeti edhe Biba.

prestige

NDESHJA – Për të kuptuar disnivelin e madh ndërmjet dy ekipeve mjaftojnë vetëm pak minuta. Prestige e qarkullon topin shpejt dhe thuajse në çdo aksion krijon mundësi shënimi, ndërsa goli i parë do të vijë në minutën e 5-të nga Shima. Këtu merr rrugë edhe goleada e Prestige, teksa Biba, Dajti dhe sërish Shima e dërgojnë rezultatin në 4-0, ende pa u plotësuar çerek ore lojë. Më pas Hysenbelliu lirohet bukur nga e majta drejt qendrës, dhe me një të djathtë “të dhunshme” e dërgon topin në trekëndësh. Kapiteni Antoni lëshon një të majtë diagonale nga distanca duke shënuar të gjashtin.

Sigal zgjohet duke realizuar dy gola të shpejtë, por në fund të pjesë së parë shpërthen Dajti me 3 gola në po kaq minuta, me skuadrat që shkojnë në pushim me fitoren e Prestige 9-2. Fraksioni i dytë luhet vetëm sa për statistikë, ku për Prestige do të shënojnë dy herë Dajti, Hysenbelliu me një gjuajtje të saktë nga distanca, Antoni dhe dy herë të tjera Shima, ndërsa do të ketë vend edhe për 3 gola nga Sigal. Kështu gjithçka mbyllet në shifrat 15-5, me Prestige që merr fitoren e shtatë në po kaq ndeshje të zhvilluara, duke ruajtur kryesimin në Zonën 3 të Tiranës.

skeda

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"