“Kampionati do jetë i paparashikueshëm deri në fund”, Duro: Gjynahe kemi, ja çfarë pres nga ekipi në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2019 | 9:39

“Kampionati do jetë i paparashikueshëm deri në fund”, Duro: Gjynahe kemi, ja çfarë pres nga ekipi në Laç

Kukësin e pret sot një transfertë e vështirë në Laç. Nënkampionët shkojnë në këtë takim të gjymtuar, pasi vuajnë prej disa dëmtimeve e mungesave të rëndësishme si Abazaj e Besar Musolli. 

dURO

Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku i Kukësit, Shpëtim Duro, i pranon problematikat e mungesave, por thekson se i dinte ato dhe ka shumë besim te skuadra dhe lojtarët që ka në dispozicion.

Shumë dëmtime para një transferte si Laçi? 

Sigurisht që kemi shumë dëmtime, mungesa dhe për kartonë, siç është rasti i Musollit, por kemi qenë të përqendruar gjatë gjithë javës. Skuadra që kam në dispozicion është gati për ta përballuar ndeshjen me Laçin. Janë gjëra që ne i dinim.

Kundërshtari po kalon një formë mjaft të mirë, i druheni këtij fakti? 

Patjetër që kundërshtari po kalon një moment të mirë, Laçi ka një skuadër të mirë. Edhe kur nuk ka marrë pikët, ka qenë një kundërshtar që nuk e ka ndihmuar fati, por rezultatet iu kanë ardhur këto 3-4 javët e fundit.

Ju kënaq një barazim?

Patjetër që shkojmë në Laç për të marrë maksimumin, por sigurisht dhe barazimi është rezultat pozitiv. Megjithatë, ne kërkojmë maksimumin.

armando cungu1

 Cungu ka qenë trajner i Kukësit… 

Patjetër që Cungu e njeh mirë skuadrën tonë, pasi e ka stërvitur sezonin e kaluar, por nuk është ndonjë problem, pasi dhe unë e njoh shumë mirë skuadrën e Laçit.

Rezultati i sotëm do të ndikojë te objektivat? 

Rezultati i këtij takimi nuk mund të vendosë gjë. Kampionati është i gjatë, ju mund të shikoni rivalitetin, të gjitha skuadrat janë në ekuilibër, pamë dhe ndeshjen TiranaVllaznia, kështu që nuk vendoset asgjë. Ky kampionat do të jetë i paparashikueshëm deri në fund.

Presidenti nuk është i kënaqur. Ju shqetëson ky fakt?

Kemi ecuri të mirë sa u përket pikëve. Jam pjesërisht i kënaqur, por jam i përqendruar me gjithë stafin dhe ekipin te puna në vazhdim.

Prisni një dhuratë nga Flamurtari? 

Nuk pres dhuratë nga asnjë skuadër. E rëndësishme është që të përqendrohemi te ndeshja jonë në Laç, pastaj sigurisht shohim edhe situatat te skuadrat e tjera. Të gjithë ne, jo vetëm presidenti, prisnim më shumë pikë, por jemi dënuar nga momente të veçanta, nga arbitrimi dhe nga fati. Sigurisht që edhe ne kemi gjynahet tona, sepse në ndeshje të veçanta nuk kemi qenë aty ku duhet. Sa i përket pyetjes për presidentin, mos m’i bëni mua. Unë u përgjigjem pyetjeve që më bëni mua, ndërsa presidenti u përgjigjet pyetjeve që i bëni presidentit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"