“Kampionat shumë i vështirë, duam t’i shkojmë deri në fund Kupës”, Bicaj kthehet në Ballsh: Pres fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 20:49

“Kampionat shumë i vështirë, duam t’i shkojmë deri në fund Kupës”, Bicaj kthehet në Ballsh: Pres fitore

Skënderbeu është rikthyer te fitorja, duke siguruar kualifikimin në turin tjetër të Kupës ndërsa tani duket se të gjitha energjitë do të jenë të përqendruara te kampionati atje ku të besuarit e Ahmatajt do të kërkojnë fitoren e parë sezonale.

bICAJ

Për Ditmar Bicajn, fitorja me Pogradecin i dha moral ekipit dhe është një ogur i mirë për vijimësinë e rezultateve pozitive. Më tej lezhjani i bardhekuqve foli edhe për takimin delikat në transfertën e Ballshit.

Për Bicajn fitorja është detyrim dhe ekipi duhet të jetë i përqendruar për këtë objektiv. I bindur për kualitetet që ka Skënderbeu në përbërje Bicaj mendon se ngërçi psikologjik është ai që rëndon disi Skënderbeun në takimet të tilla kryesisht ato brenda shtëpisë.

Ditmar, kualifikimi në kupë sa i rëndësishëm ishte në këtë moment?

Mund të them se ishte një fitore shumë e rëndësishme në kupë që na dha mundësinë për të kaluar në turin tjetër dhe kjo është shumë me vlerë. Duke parë edhe formatin e kupës këtë sezon, që luhet me ndeshje teke dhe nuk duhet të gabosh.

Kjo sjell një presion për ekipin favorit në letër pasi ekipet jofavorite luajnë gjithçka për gjithçka pa pasur asnjë presion. Kështu që duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. Fitorja me Pogradecin ishte e rëndësishme edhe për vetë faktin se ne vinim nga një humbje me Vllazninë dhe ekipi tregoi reagim.

Ndoshta duhet të shohim shembullin e Korabit dhe mund të ecë çdokush në kupë?

Po patjetër, është një strukturë e re këtë sezon një tjetër format që të jep mundësinë që përmes tre takimeve të shkosh deri në finale. Është një skemë që favorizon ekipet e vogla. Jam i mendimit që pse të mos e provojmë të kapim finalen pasi do të ishte diçka shumë pozitive për këtë ekip dhe për këta djem të rinj që do të rrisnin përvojën e tyre. Edhe për qytetin do të ishte diçka e mirë pas kësaj periudhe që po kalojmë.

Skënderbeu e ka objektiv kupën, pasi është edhe një mënyrë për të shlyer një vit dënimi në Europë?

Normalisht Skënderbeu ka objektiva çdo sezon. Këtë vit jemi ekip i ri dhe objektiv kemi ndeshjen e radhës. Pa dyshim që duam të ecim shumë mirë edhe në kupë por objektiv primar gjithmonë mbetet kampionati.

ditmar bicaj

Në dy ndeshjet e para një pikë është koha që të mos gaboni në Ballsh?

Kam përshtypjen se kampionati është shumë i vështirë këtë sezon. Do të jetë një sezon i fortë me të gjitha ekipet që duket se janë të barabarta. Kështu që në Ballsh na pret një ndeshje e vështirë dhe normalisht që duhet të bëjmë maksimumin dhe të hyjmë në fushë me objektivin e vetëm, fitoren.

Bicaj, ambientin ballshiot e njihni mirë, çfarë u keni thënë shokëve të ekipit?

Normalisht këshillat ua kam dhënë shokëve, e rëndësishme është që të jemi grup, të jemi agresivë dhe të përqendruar dhe gjithmonë të mos hapim rrugë brenda limiteve sportive. Unë besoj se ky Skënderbe i ka të gjitha mundësitë që të ecë mirë jo vetëm ndaj Bylisit, por ndaj kujtdo. Nëse bëjmë këto që thamë do të jemi një kundërshtar i fortë.

Një pikë në Ballsh do të ishte pozitive për ju?

Kampionati sikundër e thashë do të jetë shumë i fortë dhe i luftuar këtë sezon. Prandaj mendoj se një pikë në fund mund të vlejë shumë. Ne do të shkojmë në Ballsh për fitoren, por varet çfarë do të na sjellë loja. Të bëjmë mirë që në fund kur të dalim nga fusha mos kemi pengje për atë që treguam dhe dhamë në fushë.

Mos ndoshta ky ekip i ri e vuan paksa presionin e fushës?

Skënderbeu ka pasur kualitete në vitet e fundit dhe ekipet kur vinin këtu mendonin mos pësonin. Duke pasur kualitete dhe situata zgjidhet më shpejt. Goli është ai që të qetëson.

Problemi ynë është psikologjik, pasi mungesa e golit me kalimin e minutave na ve pak në siklet. Por goli mund të bëhet edhe në minutën e 90-të, prandaj duhet të jemi më të qetë dhe më të duruar. Duhet ta marrim shtruar dhe të japim maksimumin që në fillim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"