“Kampionat me 14 ekipe, lojtarët tanë nuk janë altruistë si kolegët në Europë”, Sinan Idrizi: Gjika të shlyejë 4 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2020 | 0:16

“Kampionat me 14 ekipe, lojtarët tanë nuk janë altruistë si kolegët në Europë”, Sinan Idrizi: Gjika të shlyejë 4 milionë lekë

Administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi përsëriti sërish qëndrimin e tij se klubet nuk duhet të kërkojnë të ndihmohen të parat nga shteti pas gjendjes së emergjencës së krijuar nga koronavirusi.

Sinan-Idrizi

Për “RTSH Sport”, kreu i klubit bregdetar kritikoi futbollistët e kampionatit shqiptar që nuk po tregohen “altruistë” si kolegët e huaj që kanë vendosur të shkurtojnë pagat për t’u ardhur në ndihmë klubeve.

Për sa i përket formulës së kampionatit, Idrizi shtoi se nga viti i ardhshëm FSHF-ja duhet të kthejë Kategorinë Superiore me 14 skuadra.

Edhe për ish-presidentin e Flamurtarit dhe ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, administratori Idrizi u shpreh se ai duhet të paguajë borxhin prej 4 milionë lekësh, i cili nuk është shlyer prej 7 vitesh e gjysmë.

“Mbijetesa e Flamurtarit dhe kampionati – Nëse deri ne ditën e fundit do të biem nga Kategoria Superiore nga fusha, nuk do të kërkojmë asgjë në tavolinë. Nëse e humbasim një betejë, do ta humbasim për paaftësinë tonë, për pamundësinë tonë, për të gjitha përgjegjësitë tona. Nuk mundet që atë që e humbas në fushë të them: ‘ma jep në tavolinë se ndodhi kjo e ajo’, absolutisht jo. Skema e kampionatit duhet të ndryshohet. Ndoshta jo këtë vit, por ndoshta vitin tjetër, të bëhet minimumi me 14 ekipe se futbolli është gjithëpërfshirës. Nuk është futbolli tani që të shkojmë të luajmë 4 herë në vit me një ekip.

flamurtari

Klubet dhe futbollistët i kërkojnë ndihmë qeverisë – Të kërkosh ndihmë nga qeveria për klubet është një gjë normale, por të kërkojmë ne si futboll të parët, është gjëja më absurde dhe më anormale. Për të vërtetuar këtë që ne nuk jemi si futbolli tjetër në Europë, shikoni se çfarë bëhet në Europë. Futbollistët në Europë janë të gjithë altruistë, jo vetëm që kanë lënë rrogat e tyre, por edhe kanë shkuar e ndihmuar në një mënyrë apo tjetër. Nuk po them se çfarë bën Kristiano Ronaldo apo Lionel Mesi. Më thoni një futbollist shqiptar në këtë kohë pandemie që ka bërë një hap, që ka shkuar e ka trokitur te një derë njerëzish të varfër?!  Më thuaj një futbollist shqiptar që ka marrë përsipër e ka dalë ka thënë: ‘Mjaft, ne më keto paga që marrim kemi të mjaftueshme për të mbijetuar?!’. Flasim të paktën për Superioren. Nuk ka asnjë asnjë.

Kategoria-Superiore-2018

Ne kërkojmë ndihmë të parët, por kur vjen puna te detyrimet, ne nuk jemi të parët, ne nuk jemi për t’u shembull për tatimpagues të parë në Shqipëri. E kam thënë edhe në vende të tjera, nëse ne kërkojmë të parët, atëherë çfarë do të ndodhë me ata që nga mëngjesi deri në darkë punojnë fushat, bujqit, blegtorët, minatorët, peshkatarët?! Të kërkosh ndihmë është gjëja më normale, por të kërkosh ndër të parët është gjëja më absurde.

Shpëtim Gjika – Kam një thirrje të drejtpërdrejtë për ish-presidentin e Flamurtarit: ‘Zotin, Gjika. Të lutem, hajde se ke një faturë të para shtatë viteve e gjysmë që ka bllokuar komplet Flamurtarin. Janë 4 milionë lekë të vjetra që kanë bllokuar llogaritë! Të lutëm hajde, shlyeje detyrimin tënd”, deklaron administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi.

Gjika-dhe-Idrizi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"