Kampion që për Pashkë, tek Bajerni kanë gati rrotacionin. Hejnkes mendon vetëm për Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 17:17

Kampion që për Pashkë, tek Bajerni kanë gati rrotacionin. Hejnkes mendon vetëm për Champions-in

Bajerni i Mynihut mund ta nisë që tani planin për festën e titullit. Pyetja e vetme është, kur? Pavarësisht se trajneri dhe lojtarët duan që të mbajnë të lartë tensionin për javët vendimtare të sezonit, presidenti Uli Hënes dhe shefi i bordit, KarlHainc Rumenige, i kanë nisur përgatitjet për titullin e 6-të radhazi dhe të 28-tin në histori.

“Me diferencën e thellë nga ndjekëset dhe mungesën e vazhdimësisë së skuadrave të tjera, do të ishte një gjysmëmrekulli nëse ne do ta hidhnim gjithçka në erë”, tha Mats Humels pas fitores ndaj Maincit, e cila e dërgoi avantazhin me vendin e dytë, Bajer Leverkusenin, në 18 pikë. Dhe me një skuadër që fiton në seri (ndaj Maincit ishte e 8-ta radhazi), konkurrenca në Bundesligë këtë vit mund të quhet një kapitull i mbyllur dhe tani diskutohet vetëm data kur rekordmenët do të nisin zyrtarisht të festojnë.

bajern

Dhe ajo mund të jetë që për Pashkë (1 prilli). Dhe, nëse skuadra do të vazhdojë të jetë në Champions dhe Kupën e Gjermanisë deri atëherë, i gjithë përqendrimi do të shkojë te dy trofetë e mbetura për t’u diskutuar. Meqë jemi te kupa, të martën në orën 18:30, bavarezët do të kenë shansin që të prenotojnë një biletë në gjysmëfinale, pasi rivali që do të kenë përballë është Paderborni i kategorisë së tretë.

RROTACIONI

Dhe për të qenë të përgatitur për javët vendimtare, Jup Hejnkes ka nisur të vërë në praktikë planin e tij të rrotacionit. Në Mainc, ai e ndryshoi formacionin titullar me 7 pozicione, ndoshta kjo ishte edhe arsyeja që ai pranoi se, në momente të caktuara, Bajerni nuk luajti mirë. “Ky është një risk që unë e kam marrë, sepse dua që të gjithë lojtarët e mi të aktivizohen”, u shpreh 72-vjeçari. Për të ruajtur përqendrimin dhe motivimin për dy kompeticionet e tjera, Humels thotë se është diçka që e kanë vetë lojtarët në dorë:

hejnkes-470x313

“Vetëmotivimi është një pikë. Ne kemi shumë të tilla për shkak të konkurrencës. Në çdo sektor jemi gati të dubluar. Të gjithë duan dhe do ta provojnë veten”. Tani që misioni skuadrës iu bë i qartë, detyra e drejtuesve do të jetë të vazhdojnë përpjekjet për ta bindur Jupin të qëndrojë edhe një vit. Pas ndeshjes, ai e dribloi sërish pyetjen e së ardhmes: “E ardhmja? Është për të qeshur kur pyetet një 73-vjeçar për të ardhmen e tij. Kjo po i mërzit njerëzit”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"