Kampion në 1994-ën, Ballgjini: Teuta të guxojë për titullin, duhet të kishte 2 pikë më tepër…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2019 | 22:29

Kampion në 1994-ën, Ballgjini: Teuta të guxojë për titullin, duhet të kishte 2 pikë më tepër…

Haxhi Ballgjini ësh të futur në his torinë e Teutës si njeriu që drejtoi skuadrën e sezonit 1993-1994, që u shpall për herë të parë kampione e Shqipërisë.

Ballgjini

Ish-trajneri durrsak ka folur dje për “Panorama Sport” rreth startit të kampionatit, si dhe deri ku mund të shkojë kjo Teutë.

Zoti Ballgjini, çfarë përshtypjeje ju la ndeshja e fundit e Teutës ndaj Kukësit?

Kishte dy pamje. Në pjesën e parë më tepër u kujdes të mos pësonte, ndërsa në pjesën e dytë, me aktivizimin e Kallakut, u duk që do të kishte prioritet fazën sulmuese. Kjo ndodhi, pasi e dominoi 45-minutëshin e dytë dhe luajti si një pretendente për titull kundër një kundërshtari që është ndërtuar për të dalë kampion.

Pas 6 javësh të luajtura, mendoni se Teuta është brenda pritshmërive apo kjo ecuri përbën befasi edhe për ju?

Jo, jo. Nuk besoj që është befasi, sepse objektivi i Teutës është për të qenë në zonën e Europës. Për mendimin tim, duhet të kishte edhe dy pikë më shumë, duke iu referuar këtu edhe barazimit me Vllazninë. Të them të drejtën, shoh një skuadër të ndërtuar mjaft mirë dhe me etjen për të fituar.

Ju e keni shpallur kampion Teutën në vitin 1994. Shikoni tashmë ndonjë gjë të ngjashme të asaj skuadre me këtë të sotmen?

Kanë kaluar më shumë se 25 vite dhe është e vështirë të bëhen krahasime të tilla. Për mua ka shumë ndryshime. Kanë kaluar shumë vite dhe gjërat evoluojnë. Fusha është ndryshimi i parë. Sot luhet futboll taktik, është më pak i lexueshëm. Trajnerët janë më të aftë. Kanë arritur të ndryshojnë shumë, si në rreshtim, si në mënyrën e lojës.

Çfarë i druheni më shumë për vazhdimësinë e skuadrës durrsake?

Pa dyshim që kampionati është i fortë, pa shumë diferenca. Duhet stabilitet gjatë ndeshjeve, sepse kampionati është i gjatë. Duhet të ruhet grupi i krijuar dhe nevojitet pak fat, në mënyrë që të mos ketë dëmtime që të komprometojnë ecurinë e ekipit. Shoh një grup të konsoliduar dhe duke u lutur që gjithçka të shkojë mirë nga ana taktike.

Mendoni se kjo skuadër duhet të guxojë për titullin kampion këtë sezon?

Fillimi është i mbarë dhe duke parë ekipet pretendonte, Teuta nuk ka më pak kualitet sesa ato. Por, është vetëm fillimi i kampionatit dhe diferenca me ndjekësit është e ngushtë në renditje, gjë që ende për Teutën nuk të jep idenë e kampionit absolut.

Prej më shumë se një viti ekipi drejtohet nga Bledi Shkëmbi. Keni një koment për punën e trajnerit korçar?

Puna e Shkëmbit dhe e stafit të tij flet vetë. Ai ka ndërtuar një skuadër të gërshetuar me elementë të përvojës dhe të rinj. Si trajner i ri që është, e vlerësoj me nota pozitive.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"