Kampion i harruar, Briken Calja: Shteti më ka braktisur, nuk më ka dërguar as një mesazh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2019 | 18:58

Kampion i harruar, Briken Calja: Shteti më ka braktisur, nuk më ka dërguar as një mesazh

Një muaj më parë, Briken Calja shpallej nënkampion Europe në kampionatin e zhvilluar në Gjeorgji. 29-vjeçari u kthye në Shqipëri me 3 medalje (1 ari dhe 2 argjendi), duke e ngritur lart flamurin kuqezi, ashtu sikurse kishte bërë një vit më parë në Rumani kur u shpall kampion i trefishtë i Europës.

briken calja

Megjithatë, Calja, përtej suksesit të jashtëzakonshëm, është shumë i zhgënjyer për mënyrën sesi po trajtohet nga shteti shqiptar, që vazhdon të tregohet mospërfillës ndaj këtyre rezultateve fantastike.

Si e keni përjetuar këtë muaj pas suksesit të arritur në Europian?

Normalisht, ka qenë një periudhe me emocione shumë të mëdha, pasi janë dy vite radhazi që kam arritur të marr katër medalje ari dhe dy argjendi. Një arritje historike dhe normalisht që emocionet kanë qenë shumë të forta, të cilat është e vështirë t’i përshkruash me fjalë.

Cili është tashmë objektivi i radhës për ju?

Tashmë do të fokusohem në kampionatin botëror, që do të zhvillohet në shtator. Është një event tepër i rëndësishëm, në të cilin do të shkoj për të dhënë rezultatet e mia më të mira. Objektivi kryesor është kualifikimi për në Lojërat Olimpike, të cilin tashmë thuajse e kam siguruar, por duhet të ndjek të gjitha hapat që të çojnë në këtë aktivitet madhor, duke bërë një paraqitje të mirë në Botëror, e pse jo të kthehem edhe me medalje.

A ndiheni i vlerësuar aq sa duhet në Shqipëri?

Kjo është pjesë që lë për të dëshiruar, pasi këtu vetëm vlerësim që nuk kam marrë. Janë dy vite që i dhuroj Shqipërisë medalje dhe shikoj një neglizhencë dhe një indiferentizëm total nga ana e Ministrisë së Sporteve, që është vërtet diçka për të ardhur keq.

briken calja

Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një aktivitet kombëtar apo ballkanik, por po flasim për medalje në kompeticion të rëndësishëm siç është Kampionati Europian. Medalje ari dhe argjendi, por që me sa duket nuk i bëjnë përshtypje askujt nga ana e ministrisë dhe më vjen keq ta them, por që atyre nuk u interesojnë aspak medaljet. Ashtu sikurse ndodhi vitin e kaluar kur solla tri medalje ari nga Europiani, edhe këtë herë që arrita të shpallem nënkampion Europe, s’më kanë bërë pritjen zyrtare.

Madje, nuk kam marrë asnjë mesazh urimi nga asnjë prej zyrtarëve të ministrisë. Këshilltarët e sportit në këtë institucion nuk kanë asnjë lidhje me sportin, por janë aty vetëm të emëruar nga politika. Po bëhen dy vite radhazi dhe me sa shikoj Ministria e Sportit këtu është inekzistente. Kam një jetë që i jap këtij shteti medalje, duke ngritur flamurin nëpër botë dhe nuk marr as mirënjohjen minimale.

Pas gjithë këtyre problemeve, keni menduar ndonjëherë që të mos e përfaqësoni më Shqipërinë?

Shqipërinë nuk e bëjnë zyrtarët, por shqiptarët. Janë thjesht disa individë të paaftë që punojnë kundër sportit dhe nuk më shqetësojnë. Përkundrazi, gjej më shumë forcë për të vazhduar punën time dhe për t’i neglizhuar ata si një institucion që nuk u intereson sporti.

Si ndiheni kur shkoni në evente të rëndësishme dhe takoheni me rivalë që kanë një trajtim krejtësisht të ndryshëm nga shtetet e tyre në raport me ju?

Jemi një vend që nuk mund të konkurrojmë me asnjë shtet tjetër në kushte të barabarta. Kjo gjë ndodh në të gjitha sportet, jo vetëm në peshëngritje, por peshëngritja është ai sport që ka arritur rezultatet më të rëndësishme, duke marrë medalje dhe kualifikime si asnjë sport tjetër. Sigurisht që nuk ndihemi mirë kur garojmë në këto kushte. Ne nuk kemi as uniforma.

Buxheti i shtetit është diku deri në 10 milionë lekë dhe çfarë mund të bëjë federata me një shumë të tillë. Këtu, në vend që të shtohen fonde për sportin, zvogëlohen. Mjafton të shikojmë që para 10- 12 vitesh kanë qenë dy apo trefish më i lartë. Pra, sporti më i suksesshëm në këtë vend, në vend që të promovohet dhe të mbështetet, i hiqen edhe më shumë para nga ai fond minimal që jep nga shteti.

Duke parë gjithë këto probleme, çfarë mesazhi keni për brezin e ri të shtangistëve?

U them që të punojmë sa më shumë, pasi përtej pengesave të mëdha që ekzistojnë këtu, një sportist e bën puna dhe vullneti. Askush nuk mund t’u pengojë të ardhmen në rast se punojnë për ëndrrat e tyre, ashtu sikurse i kam arritur edhe unë.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"