Kameramani veteran rrëfen hilen në revoltën e Kuçovës: Ja si e fsheha kasetën e ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2018 | 22:27

Kameramani veteran rrëfen hilen në revoltën e Kuçovës: Ja si e fsheha kasetën e ndeshjes

UVIL ZAJMI

Operatori i atij takimi ka qenë i njohuri, kameramani veteran i TVSH-së, Nuan Lasku. “Më caktuan mua se nuk shkonte njeri. Isha 40- vjeç dhe e kisha pasion sportin. Me arbitrin Kaimi, Shapllon dhe Tominin kishim qenë dikur futbollistë te Dinamo me trajner Gole Sheshin. Kam parë gjithçka që ka ndodhur atë ditë”, e nis rrëfimin Lasku për “Panorama Sport”.

naun lasku

Mbërritët aty dhe gjetët Kuçovën me ethet e një ndeshjeje. Cila ishte përshtypja e parë?

Në stadium shkuam dy orë para ndeshjes, kur ende nuk ishin hapur portat. Tektuk dëgjonim shprehje se sot do bëhet nami, o gjallë o vdekur do fitojmë. Kisha një kamera “Beta” dhe e vendosa sipër në tribunën qendrore. Në momentin që janë hapur dyert, në pak minuta stadiumi u mbush plot. Shikoja forca policore më shumë se herët e tjera.

A kishte tension në tribuna pa filluar ndeshja?

Po, sigurisht. Tifozë që i kisha pranë, si gjatë lojës edhe në pushim për raste të dyshimta, më kërcënonin: “Merre, merre këtë se do të thyejmë kamerat dhe jepi në darkë, se nuk vjen më këtu…!” Pas golit, në dhjetë minutat e fundit, njerëzit të acaruar qëndronin në këmbë, sidoqoftë nuk më shkonte mendja për keq, ndonëse ndjesinë dhe frikën për kamerën, jo për vete, e pata. Nëse turma me tifozë mund të reagonte, askush nuk e dinte çfarë ndodhte. Një mendje më thoshte të iki ta lë ndeshjen, por çfarë do çoj në televizion, nëse s’ka gola dhe raste?!

naftetari dinamo 1 0

Çfarë ndodhi aty, a ju kujtohet?

Kur u dëgjua vërshëllima e mbarimit, lojtarët e Naftëtarit iu vërsulën arbitrave, ndërsa në tribunën poshtë meje pati një zënkë midis zyrtarëve të Dinamos dhe tifozëve vendës. Pastaj, papritur nga të katër anët, por më shumë nga ajo përballë u hodhën gurë, të cilët përplaseshin në ajër me njëritjetrin. E kam mbyllur kamerën dhe u struka kur dikush nga ata të qytetit që më njihte, Agim Meta, më bërtiti: “Naun, çfarë bën aty? Ik se do të mbysin, është bërë nami përjashta!”. Zbrita, ndërkohë shoh dy makina policie të kthyera me rrota sipër që po digjeshin. Në ato situata ku secili të shpëtonte kokën, e vetmja rrugëdalje ishte ajo nga puset e naftës. Kemi ecur me orë drejt Urës Vajgurore, në rrugën automobilistike, ec e kthe kokën nga mbrapa, deri kur ka ardhur makina e TVSH-së, ndërkohë sapo kishte rënë errësira.

Kasetën e ndeshjes, si e ruajtje?

Kisha një eksperiencë, kur për votime në Shkup me gazetaren Afërdita Sokoli, policia na ndaloi dhe më kërkuan kasetën. Unë e kisha fshehur në gjoks atë me filmime dhe në kamera kisha vënë një bosh. I dorëzova atë dhe na liruan. Kështu veprova edhe në Kuçovë. “Mos ia kanë marrë kasetën?”, kishte thënë dikush… “Nuk ka mundësi, kur nuk ia morën në Shkup, këtu Laskut s’ia marrin dot”, ishte përgjigjur drejtori Edi Mazi, që po na priste në televizion. Kasetën ma mori Vladimir Grillo dhe më tha se do të më jepnin një të re, se atë do e fusnin në arkiv. Pamjet u panë të nesërmen në “Rubrikën Sportive”. Pasi dorëzuam kasetën, bashkë me teknikun Dhimitër Todi, që sot ndodhet në Gjermani dhe e shoferin Gani Xhaferri, që fatkeqë- sisht nuk jeton, shkuam në shtëpi, thuajse pas mesnate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"