Kamarata “shtrydh” ekipin, Dinamo kërkon surprizën ndaj Bylisit. Rikuperohen 5 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 21:09

Kamarata “shtrydh” ekipin, Dinamo kërkon surprizën ndaj Bylisit. Rikuperohen 5 lojtarë

Dinamo e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri futbollistik. Kryeqytetasit kanë korrur dy fitore radhazi (në Kupën e Shqipërisë ndaj Flamurtarit dhe në kampionat përballë Erzenit) dhe tashmë “etja” u është shtuar.

Dinamo

Blutë e patën pushim javën e dytë të Kategorisë së Parë, e megjithatë vend për relaks nuk ka. Skuadra nuk i ka ndalur përgatitjet, madje i ka zhvilluar me ritëm të lartë. Fabricio Kamarata është shfaqur tejet kërkues në seancat e fundit, pasi pret surprizën përballë Bylisit. Pikërisht nesër, kryeqytetasit do të matin forcat me këtë skuadër për llogari të turit të dytë. Stafi teknik po merr që të gjitha masat, pasi pret vetëm kualifikimin dhe fakti që luhet ndeshje teke konsiderohet një shans. Grupi është i plotë, pasi rikthehen edhe të dëmtuarit.

Kevi Berberi, Artion Alillari, Damiano Pontreli, Englis Kodra dhe Hoze Salazar nuk kanë qenë në gjendjen më të mirë, por tashmë janë rikuperuar dhe janë më shumë se gati për ballshiotët. Me afrimet cilësore që drejtuesit kanë bërë në merkaton e verës, mendojnë se mund të luftojnë në dy fronte. Nuk duan vetëm ngjitjen në elitë, por edhe të shkojnë sa më larg në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"