Kamarata “kërcënon” Kukësin: Apolonia s’ndalet, jemi gati për fitoren e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 9:21

Kamarata “kërcënon” Kukësin: Apolonia s’ndalet, jemi gati për fitoren e radhës

Pas fitores me Laçin, në Fier vjen Kukësi si mysafir, i cili po kalon një situatë të vështirë. Ndërsa Apolonia ka bërë një ecuri shumë të mirë në tri ndeshjet e fundit, me 7 pikë të siguruara.

kamarata

Ballafaqimi i sotëm është interesant, sepse kuksianët e shohin Apoloninë si mundësinë më të mirë për ta bërë “kurbanin” e kthesës, por fierakët kanë karikimin e duhur, kërkojnë të realizojnë fitoren e dytë radhazi në kampionat.

Bardhejeshilët e trajnerit Kamarata janë të vendosur t’i shkaktojnë humbjen e pestë radhazi Kukësit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Fabricio Kamarata, shprehu besimin në fitore edhe ndaj Kukësit.

E keni nisur mbarë, me 4 pikë ndaj dy ekipeve cilësore, Partizanit dhe Laçit. E kishit menduar një start të tillë tek Apolonia?

E kisha dëshiruar një fillim të tillë dhe ndodhi. Frika ekzistonte, sepse mora përsipër ekipin e vendit të fundit dhe do të luanim kundër dy skuadrave pretendente në një kohë shumë të shkurtër. Por ia dolëm me sukses dhe kjo na ka bërë mirë të gjithëve: mua si trajner dhe skuadrës si grup.

A ka pasur një formulë sekrete Kamarata për ndryshimin e menjëhershëm?

Asgjë të veçantë, jo. Askush nuk ka zgjidhje magjike, por ka qenë gjetja e komunikimit të duhur me skuadrën. Mendoj se kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe harmoninë e plotë, që në momentin e parë e në vijimësi dhe kjo gjë na ka lehtësuar punën e mëtejshme për të përcjellë idetë e mia në ekip. Sipas meje, merita më e madhe u takon lojtarëve, të cilët arritën të përshtaten shpejt dhe siç duhet me kërkesat tona si staf.

Në situatën që ndodhet në renditje, skuadrës suaj patjetër i duhen përforcime, por pak keni bërë në këtë drejtim. A do të ketë Kamarata lojtarët që i duhen për të arritur objektivat me Apoloninë?

Merkatoja nuk ka përfunduar dhe po ju them se jemi në rrugën e duhur për të gjetur lojtarët që na duhen. Të gjithë faktorët tanë janë aktivë në treg, po punojnë me të gjitha mundësitë dhe kam besim se klubi do të bëjë goditjet e duhura, jo vonë, por brenda pak ditësh.

Përballë, në ndeshjen e radhës, keni Kukësin, një ekip në krizë rezultatesh, por që Apolonia nuk ka fituar kurrë në Superiore ndaj tyre. Si e gjykoni këtë ndeshje?

Nuk merrem me statistika dhe të shkuarën, por vetëm me të tashmen. Nuk shoh ecurinë, rezultatet apo renditjen e një ekipi, por i vlerësojmë si kundërshtarë të radhës, me objektivitet dhe pa tepri, ndryshe rrezikojmë të dështojmë. Kukësi ka gjithë respektin tonë është ekip shumë i mirë, pavarësisht se në ndeshjet e fundit nuk ka marrë atë që duhet. Në letër, ata na shohin si kundërshtar të lehtë dhe mendojnë se do gjejnë fitoren.

Nuk ka problem për ne, le ta gjykojnë kështu, në fushë do e shohim se çfarë do të japë secili ekip. Ne jemi përgatitur për fitoren e radhës. Kur ia kemi dalë me sukses ndaj Partizanit dhe Laçit, asgjë nuk na pengon ta bëjmë edhe me Kukësin. Skuadra ime ka moralin, përgjegjësinë dhe forcën e duhur për të fituar edhe këtë herë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"