Kamarata i gëzohet pikëve ndaj Erzenit, Bubeqi: Nuk humbëm prej dominimit të Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2020 | 19:26

Kamarata i gëzohet pikëve ndaj Erzenit, Bubeqi: Nuk humbëm prej dominimit të Dinamos

Fabricio Kamarata u gëzohet pikëve, ndonëse e pranon që nuk ishte një fitore e lehtë ajo përballë Erzenit. Gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes, trajneri italian i Dinamos flet edhe për planet që kanë për Kupën e Shqipërisë.

kamarataa

“Jam i kënaqur me ekipin dhe tri pikët që në start, sepse siç edhe dihet ne kemi synim ringritjen e klubit. Me presidentin dhe drejtuesit jam i lumtur, sepse falë tyre kemi ndërtuar një ekip konkurrues.

Kam në dispozicion një numër të madh lojtarësh, që na lejon të luftojmë në dy fronte. Kemi një javë pushim në Kategorinë e Parë, ndaj tani do të përqendrohemi te turi i dytë i Kupës së Shqipërisë. Luajtëm në një terren disi të vështirë dhe përballë një kundërshtari të mirë, por në fund ia dolëm”, tha numri një i stolit të kryeqytetasve.

Dorjan Bubeqi mendon se humbja nuk erdhi si rrjedhojë e dominimit të kundërshtarit, por prej mungesës së eksperiencës. Trajneri i Erzenit mendon se lojtarët e tij duan edhe pak kohë që të përshtaten, por beson se kthesa do të vijë që të dielën. “Nuk humbëm prej dominimit të Dinamos, por pasi grupi ynë është i ri dhe do kohën e duhur për t’u ambientuar e përshtatur.

Kisha mungesën e Troplinit sot (dje), që na i prishi disi planet. Gjithsesi, unë qëndroj me këmbë në tokë dhe do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Do ta kërkojmë kthesën në javën e dytë. Sa i përket objektivit, ai vjen javë pas jave, sepse grupi është i ri në moshë dhe nuk duhet të kenë presionin e ngjitjes”, tha kavajasi i shijakasve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"