Kamarata: Dua ekip fitues ndaj Laçit, Apolonia do të mbijetojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2021 | 23:07


Kamarata: Dua ekip fitues ndaj Laçit, Apolonia do të mbijetojë

Barazimi me Partizanin në transfertë quhet start pozitiv për Apoloninë këtë vit. Nuk kish si të niste më mirë aventura e Superiores për trajnerin Fabricio Kamarata. Skuadra e tij mori një pikë në “frymën e fundit” të ndeshjes, por përtej pikës, fierakët për herë të parë kanë prodhuar edhe lojë gjatë gjithë ndeshjes, duke mos u ndierë inferior karshi të kuqve. Një panoramë krejt ndryshe nga faza e parë në Fier me Partizanin, ku Apolonia luajti vetëm gjysmën e ndeshjes dhe pjesën e dytë u shpërfytyrua totalisht, duke humbur 0-3, asokohe nën drejtimin e italianit, Xhovani Kolelës.

kamarata

“Era e ndryshimit” që paralajmëroi trajneri Kamarata ka nisur, faktori futbollistik fierak ka filluar të besojë se ky është trajneri i duhur për ta nxjerrë Apoloninë nga “honi” i renditjes dhe tashmë i mbetet Fabricio Kamaratës të mirëmenaxhojë këtë situatë dhe të mos zhgënjejë me idetë dhe skuadrën e tij. Debutimin e pati të mbarë, siç e kish premtuar. Momentalisht, trajneri i Apolonisë shijon suksesin e tij të parë, por me modesti dhe entuziazëm të kontrolluar, gjë që tregon se e njeh mirë koeficientin e fortësisë së Superiores dhe “delikatesën” e skuadrës që drejton.

FILOZOFIA – “Nuk kemi bërë asgjë, sapo kemi startuar është vetëm fillimi”, e nis me këshilla për skuadrën trajneri i Apolonisë. “Të ruhemi nga euforia, jemi prapë në vend të fundit dhe na duhen sa më shumë ndeshje të mira në vazhdim dhe pikë. E nisëm mbarë dhe kjo gjë është sinjal i mirë për mua dhe për skuadrën”, u shpreh trajneri.

SKEMA – Ndërkohë, Kamarata ka bërë ndryshime në formacion, duke kryer lëvizje dhe aktivizime të lojtarëve që nuk janë preferuar më parë. Tekniku i Apolonisë e ka një përgjigje për këtë fakt, duke evidentuar që klubi i beson tërësisht dhe i ka lënë dorë të lirë për të vepruar e për të vendosur. “Ky është parimi im kudo ku kam drejtuar: në skuadër luajnë ata që e meritojnë, ata që janë më në formë dhe për mua nuk kanë rëndësi emrat, aq më tepër në një skuadër si Apolonia me lojtarë të rinj, ku ‘senatorë’ janë të gjithë dhe asnjë”, vijoi italiani.

PARTIZANI – “Morëm një rezultat të kënaqshëm, por të merituar dhe nuk duhet trajtuar si ndonjë arritje kushedi çfarë, por si diçka normale. Duhet të synojmë dhe të marrim pikë me çdo kundërshtar, edhe në transfertë. Unë prandaj kam ardhur në Fier, për ta nxjerrë skuadrën nga kjo gjendje, ndryshe çfarë kuptimi do kishte? Besoj tek ekipi. Besoj se së bashku do të bëjmë punë të mira”.

LAÇI – “Sa i përket ndeshjes me Partizanin, them se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe skuadra zbatoi atë që i kërkohej në fushë. Duhet të jemi më të kujdesshëm në momente të veçanta, për të mos i lejuar hapësira kundërshtarit. Skuadra reagoi mirë, morëm atë që meritonim, por kemi akoma shumë gjëra për të përmirësuar. Tani jemi përqendruar te Laçi dhe duhet të përgatitemi në maksimum, pasi do të luajmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë dhe po aq cilësor. Do të punojmë për të ndërtuar një ekip fitues në këtë duel”, pohoi trajneri italian.

MERKATO – “Përforcimet? Janë domosdoshmëri, por nuk duhet të ngutemi. Nuk na interesojnë emra për numër, por lojtarë cilësorë dhe të vlefshëm për ne. Po punojmë në këtë drejtim, po studiojmë, po testojmë dhe besojmë se do të akordojmë me ata që na interesojnë”.

TRYSNIA – “Presioni duket se është tek Apolonia pas barazimit me Partizanin, sepse ka pritshmëri për një tjetër rezultat pozitiv kundër Laçit. Do ta menaxhojmë edhe këtë pjesë, do ta largojmë presionin dhe do luajmë qetë”, tha për “Panorama Sport” Fabricio Kamarata.

BUJAR RAMA




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/