Kamara i bën presion Tiranës: Besojmë te kualifikimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2017 | 10:32

Kamara i bën presion Tiranës: Besojmë te kualifikimi

Besëlidhja, pas fitores që mori të shtunën ndaj Erzenit, po e ruan hapin me kryesuesit e grupit A dhe i mban në vallen e pretendentëve.

Përgatitjet

Të hënën, Besëlidhja u grumbullua dhe nisi stërvitjen në kuadër të sfidës anti-Tirana. “Rikthimi i Besëlidhjes te fitorja pa pësuar, përkoi edhe me rikthimin tim te goli. Ky për mua është një sukses që shpresoj të mos më ndahet deri në fund të sezonit”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, Kamara.

Beselidhja - Tirana aksion

Më tej, autori i dopietës ndaj Erzenit në fundjavë, vijon: “Dëshpërimi më i madh për mua në këtë sezon ka qenë në ndeshjen ndaj Kamzës, që nuk arrita të shënoj. Kjo erdhi dhe, si pasojë e strategjisë së kundërshtarit, jo për të fituar, por për të na prishur lojën dhe ja arriti të ruante portën të paprekur.

Në atë barazim nuk mund të themi se ne nuk kishim faj, pasi duhej që strategjisë së tyre t’iu kundërpërgjigjeshim me lojën tonë sulmuese dhe këmbëngulëse. Gjithsesi, ajo ka kaluar, por duhet të mbahet mend për të kundërvepruar në ndeshjen e fundit që do ta luajmë në shtëpinë e tyre. Duke iu rikthyer takimit të së shtunës ndaj Erzenit, aty skuadra u riorganizua duke dhënë më të mirën e saj, që na dhuroi fitoren.

Tashmë po mendojmë për sfidat e mbetura që duhet dhe po i vlerësojmë maksimalisht, pasi edhe pse jemi në vend të dytë, diferenca e pikëve e ka lënë të hapur deri në fund luftën për vendin e parë. Përveç kampionatit, tashmë kemi në radhë ndeshjen e kthimit për gjysmëfinalen e Kupës që do të luhet në kryeqytet ndaj Tiranës. Është një ndeshje që po e vlerësojmë, pasi ende besojmë se mund të arrijmë në finale, pavarësisht barazimit 1-1 në fushën tonë”, tha sulmuesi guineas, Sekou Kamara.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"