“Kam refuzuar Realin”, skaneri i Alegrit: Juvja do të dominojë, ja ku gabon Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 17:11

“Kam refuzuar Realin”, skaneri i Alegrit: Juvja do të dominojë, ja ku gabon Milani

Masimiliano Alegri beson se Juventusi do të vazhdojë të dominojë për shumë vite futbollin italian dhe do të fitojë disa trofe të tjerë. Në një intervistë për gazetën “MARCA” italiani zbulon se ka refuzuar Realin e Madridit, ndërsa thekson se, fatkeqësisht, për të parë një Milan fitues, do të duhet shumë kohë. Ai ka vlerësuar maksimalisht Guardiolën dhe Enriken, por zbulon edhe një nga lëvizjet gjeniale të Zinedin Zidanit.

masimiliano alegri1

Ju nuk drejtoni një skuadër që nga viti 2019. Çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe?

Kam qenë duke karikuar bateritë dhe kam shijuar kohën me familjen time. Kam kaluar kohë me miqtë në Livorno, të cilët kisha kohë pa i takuar.

Mendoni se do të riktheheni në Itali apo në ndonjë skuadër jashtë vendit?

Nuk më intereson se ku do të shkoj. Unë kërkoj një klub që të ketë një projekt fitues dhe të ketë ambicie për të fituar trofe të rëndësishëm.

Do t’ju pëlqente që të merrnit një skuadër në kampionatin spanjoll?

Cili person i shëndetshëm nga ana mendore do t’i përgjigjej me jo kësaj pyetjeje? Askush.

Ju keni fituar 5 kampionate me Juventusin. Deri ku mendoni se do të shkojë “mbretërimi” bardhezi, që po fiton edhe kampionatin e nëntë radhazi.

Struktura e Juventusit është e ndërtuar për të fituar dhe për të fituar. Vetëm për këtë. Për këtë arsye, mendoj se do të vazhdojë të fitojë ende shumë trofe të tjerë në të ardhmen.

Po një Milan fitues kur mund ta shohim, sepse në vitet e fundit po vuan shumë?

Për fat të keq, mendoj se duhet një kohë më e gjatë për këtë. Milani ka nevojë për një projekt të fortë dhe për vazhdimësi. Ka ndryshuar shumë herë lojtarët dhe kjo gjë nuk e ka ndihmuar që të besojë se mund të shkojë drejt titullit.

Mendoni se Lautaro Martinez i ka të gjitha mundësitë për të luajtur te Barcelona?

Fanella e Barcelonës peshon shumë dhe çdo lojtar duhet të ketë forcë dhe personalitet për ta veshur. Lautaro i ka të gjitha kualitetet për të triumfuar. Sot për sot është duke bërë mjaft mirë tek Interi, por të shohim nëse do ta bëjë këtë gjë ndonjë ditë edhe në “Camp Nou”.

Cila është diferenca kryesore mes La Ligës dhe Serisë A?

Në La Liga ka më shumë vend për të luajtur futboll, pavarësisht nga rezultati. Ekipi që ka pësuar një gol vazhdon të luajë sikur të mos kishte ndodhur gjë. Në Itali ndodh e kundërta. Ka më shumë fiksim për detajet e lojës dhe për taktikën. Truri gjithmonë ka më shumë prioritet sesa zemra, në përgjithësi.

Mendoni se futbolli italian është më i vështiri për t’u luajtur?

Po, për këto që thashë më sipër. Këtu, lojtari nuk ka shumë lirshmëri për t’u argëtuar dhe për të bërë gjërat instiktive në fushën e lojës.

Pse ky dominim i Juventusit në Itali nuk është edhe në Europë?

Nuk fiton asnjë Champions që prej vitit 1996… Nuk jam dakord me këtë. Në vitet e fundit ka bërë mjaft mirë duke arritur dy finale dhe është eliminuar disa herë në mënyrë të diskutueshme.

Mendoni se Kristiano Ronaldo do të qëndrojë shumë vite te Juventusi?

Po, pa dyshim që po.

Mendoni se bardhezinjtë kanë bërë një hap përpara me të?

Sigurisht që po. Është një lojtar që e rrit grupin tjetër.

Cilët trajnerë spanjollë admironi më shumë?

Pep Guardiolën, por kam shumë respekt dhe vlerësim edhe për Luis Enriken.

Po nga Zidani çfarë ju pëlqen më shumë?

Forca që ka pasur për të kërkuar ekuilibrin në një skuadër që ka shumë klas dhe talent. Për mendimin tim, pozicionimi i Kasemiros përpara mbrojtjes ka qenë një nga lëvizjet më të zgjuara dhe të goditura të Zidanit.

Po te Simeone?

Kapacitetin e tij për të krijuar një empati me grupin që punon. Diego dhe skuadra e tij janë një të vetëm. Nuk njoh asnjë trajner të aftë që ta bëjë këtë gjë në nivelin e Diegos.

Ju jeni lidhur disa herë me një kalim të mundshëm me Realin. Keni pasur opsione?

Përpara dy vitesh kam pasur mundësi, por kisha kontratë me Juventusin dhe nuk mund të largohesha. Por, nuk ishte thjesht kontrata që më mbajti, sepse kisha marrëdhënie të forta me klubin dhe me njerëzit aty.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"