“Kam pyetur Uzunin për futbollin kroat”, Kallaku: Peng që humba dy penallti me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 15:57

“Kam pyetur Uzunin për futbollin kroat”, Kallaku: Peng që humba dy penallti me Teutën

Sherif Kallaku nuk është më pjesë e Teutës, pasi do të vazhdojë karrierën me Lokomotivën e Zagrebit. Vetë lojtari në një prononcim për “Panorama Sport” flet për kalimin te kroatët, ku ka firmosur një kontratë 4-vjeçare. Për blerjen e mesfushorit të talentuar Lokomotiva do të kalojë në arkën e Teutës rreth 200 mijë euro, ndërsa klubi durrsak do të ketë 10% të kartonit nëse rishitet. Kështu “bandës” së shqiptarëve i shtohet një tjetër pjesëtar pas largimit të Myrto Uzunit dhe Lirim Kastratit.
sherif kallaku teuta
Kallaku e kishte përsëritur shumë herë se nuk ndërronte asnjë ekip tjetër në Shqipëri, pavarësisht interesimeve që kanë ardhur nga klubet më të mira. Për gazetën ai zbulon se ka biseduar së fundmi me Myrto Uzunin për të marrë një informacion më të detajuar për kampionatin kroat.

Sherif, një sezon i shkëlqyer te Teuta dhe në fund fitimi i Kupës së Shqipërisë…
Është një ndjesi e bukur, pasi është trofeu im i parë si profesionist. Jam shumë i lumtur që arrita ta fitoja me skuadrën e Teutës, pasi kishte 100-vjetorin dhe kishte ardhur momenti për të sjellë një kupë në Durrës. I gjithë qyteti e priste një kupë. Dëshironim të fitonim kampionatin, por aty gjërat nuk shkuan mirë dhe zgjodhëm rrugën më të shkurtër….

Nuk jeni sulmues i mirëfilltë, e prisnit të shënonit 14 gola?
T’ju them të drejtën, nuk prisja të shënoja 14 gola, por mendoj që ata gola nuk i kam shënuar vetëm unë, por e gjithë skuadra. Më vjen keq për ato dy penallti të humbura në kampionat, pasi kisha mundësi të shënoja më shumë, por jam i lumtur, sepse gjithçka bëra i shërbeu ekipit për të arritur objektivin.

Tani që jeni transferuar te Lokomtiva e Zagrebit, si ju duket si lëvizje?
Të them të drejtën, kam pasur dhe oferta të tjera, por zgjodha Kroacinë, sepse është trampolina më e mirë. Duke marrë parasysh faktin që do të gjej një ambient me shumë shqiptarë aty, kam besimin se mund të afirmohem më shpejt dhe të ambientohem më shpejt. Transferimi në një kampionat tjetër ka të bëjë dhe me ambientimin e shpejtë, ndaj edhe jam i bindur se Kroacia do të ishte trampolina më e mirë për mua.

Në kontratën e firmosur ka ndonjë klauzolë që ka të bëjë me minutazhin, apo me numrin e ndeshjeve që luani?
Jo, në kontratë nuk ka pasur marrëveshje të tillë. Unë besoj te aftësitë e mia, por pa stërvitje nuk mendoj se ia del dot, ndaj gjithçka është në dorën time.

Cila është ëndrra më e madhe e Kallakut?
Unë e kam thënë që dua të kem një karrierë shumë të mirë dhe për këtë arsye kam vendosur të shkoj te Lokomtiva. Shpresoj që të kem edhe fatin me vete, pasi kështu do të mund të arrij atë që synoj.

Shumë tifozë në Durrës kanë blerë fanellën me emrin tuaj. Çfarë ndjesie është kjo për një 22-vjeçar?
Është një ndjesi shumë e bukur. Kjo për një futbollist mund të ndikojë në momente të caktuara, por unë jam munduar të rri me këmbë në tokë gjatë gjithë kohës dhe të jem sa më i ftohtë. Jam shumë i lumtur që arritëm t’u sjellim tifozëve dhe qytetit një kupë dhe e di që ata do të më mungojnë shumë.
uzuni4
Ke folur me trajnerin apo lojtarët shqiptarë që luajnë te Lokomotiva?
Kam folur me Uzunin dhe me të gjithë të tjerët. I kam pyetur për kampionatin dhe se çfarë futbolli luhet.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"